Sportistët e Shkupit do të kenë mundësi deri më 22 prill të shfrytëzojnë Thirrjen Publike për ndarjen e mjeteve financiare për programe, projekte, aktivitete programore dhe manifestime në fushën e sportit me interes për Qytetin e Shkupit për vitin 2026. Afati për aplikim është deri më 22 prill, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.
“Të drejtë për pjesëmarrje në Thirrjen publike kanë klube sportive, shoqata sportive, institucione sportive, të regjistruar në Regjistrin Qendror me seli në qytetin e Shkupit, të cilët i plotësojnë kriteret e Rregulloreve dhe kanë depozituar dokumentacionin e nevojshëm”, thuhet në Konkurs.
Në këtë Thirrje do të mbështeten manifestime sportive tradicionale, manifestime me interes të veçantë për Qytetin e Shkupit, programe, projekte, aktivitete programore me manifestime për personat me aftësi të kufizuara në territorin e qytetit të Shkupit, për shkollat e mesme, sport cilësor dhe garues i ligës së parë dhe klubeve sportive me trofe në territorin e qytetit të Shkupit, sporte masive dhe rekreative dhe sporte urbane e ekstreme.
“Për realizimin e procedurës pas thirrjes publike, Kryetari i Qytetit të Shkupit do të formojë Komision për realizimin e procedurës për ndarjen e mjeteve financiare. Për aplikimet që janë të kompletuara, Komisioni do t’i dorëzojë propozim Kryetarit të Qytetit të Shkupit për ndarjen e mjeteve financiare aplikuesve”, sqaroi Qyteti i Shkupit.
Aplikimet do të dorëzohen në Arkivin e Qytetit të Shkupit.
Kjo Thirrje ka për qëllim manifestimin dhe afirmimin e qytetit të Shkupit si qendër sportive zhvillimore me karakteristika evropiane.
tag_katrorimaqedoni_2