Tek Real Madridi ka shpërthyer pakënaqësia pas një episodi të fundit polemik, i cili i ka ndezur sërish debatet mbi gjykimin dhe vendimet në fushë.
Brenda klubit madrilen nuk e konsiderojnë situatën si një gabim të thjeshtë.
Sipas raportimeve nga “Mundo Deportivo”, në ambientet e klubit “Los Blancos” mbizotëron bindja se ajo që ndodhi nuk ishte një gabim njerëzor, por diçka më shumë, përcjell “Gazeta Express”.
“Nuk është një gabim, shohim qëllim të keq”, është fraza që qarkullon në Madrid pas episodit të diskutueshëm, ku madrilenët kërkuan penallti në ndërhyrjen ndaj Kylian Mbappe në ndeshjen e së premtes ndaj Gironas (1:1).
Ky reagim vjen si pasojë e një vendimi që ka shkaktuar polemika të shumta, duke e shtuar tensionin në një moment delikat të sezonit.
Në klub ndihen të dëmtuar dhe të bindur se situata të tilla po përsëriten më shpesh sesa duhet.
Nuk është hera e parë që në Madrid ngrihen dyshime mbi vendimet arbitrale apo interpretimet në fushë.
Në disa raste të mëparshme, klubi i ka shprehur publikisht pakënaqësinë, duke kërkuar më shumë transparencë dhe drejtësi në vendimmarrje.
Ky episod i fundit vetëm sa e ka rritur mosbesimin, duke e forcuar idenë se nuk bëhet fjalë për gabime sporadike, por për një problem më të thellë që e prek integritetin e garës.
Në një fazë kaq vendimtare të sezonit, çdo detaj mund ta bëjë diferencën dhe në Madrid janë të bindur se situata të tilla nuk mund të kalojnë pa u analizuar dhe diskutuar në thellësi.
Reali e sheh veten 9 pikë prapa Barcelonës, 7 xhiro pa përfunduar sezoni. /Gazeta Express