Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Uashingtoni nuk do të lejojë në asnjë rrethanë që Iran të sigurojë armë bërthamore, ndërsa konfirmoi nisjen e një bllokade detare ndaj porteve iraniane nga Marina amerikane.
Duke folur nga baza ushtarake Andrews në Maryland, Trump theksoi se “Irani nuk do të ketë armë bërthamore”, duke shtuar se Teherani “vazhdon ta ndjekë këtë objektiv”.
I pyetur për mundësinë e rifillimit të negociatave, ai u shpreh se kjo nuk është prioritet për të. “Nuk më intereson nëse kthehen apo jo në bisedime. Nëse nuk kthehen, jam në rregull”, deklaroi ai, duke pretenduar gjithashtu se kapacitetet ushtarake iraniane janë dobësuar ndjeshëm.
Ndërkohë, ushtria amerikane njoftoi se nga pasditja do të hyjë në fuqi bllokada ndaj porteve iraniane, pas dështimit të bisedimeve direkte mes dy vendeve. Masa parashikon ndalimin e anijeve të të gjitha kombësive që hyjnë apo dalin nga portet iraniane, përfshirë ato në Gjirin Persik dhe në Gjirin e Omanit.
Megjithatë, autoritetet amerikane sqaruan se do të lejohet lundrimi në ngushticën strategjike të Hormuzit për anijet që nuk kanë lidhje me Iranin, duke synuar të shmangin ndërprerjen totale të furnizimit global me energji.