Neymar Jr është kthyer me një paraqitje vendimtare për Santos FC, duke ndihmuar skuadrën të marrë një fitore të rëndësishme 1-0 ndaj Atlético Mineiro në kampionatin Campeonato Brasileiro Série A.
Pas mungesës në dy ndeshjet e fundit për shkak pezullimi dhe menaxhimi të ngarkesës fizike, ylli brazilian u rikthye në formacion dhe ishte menjëherë vendimtar në organizimin e lojës.
Goli i fitores u shënua në pjesën e dytë nga zëvendësuesi Moisés, por vëmendja kryesore ishte te Neymar, i cili udhëhoqi ritmin e ndeshjes dhe krijoi raste të shumta për ekipin e tij.

Trajneri i Santos, Cuca, pas ndeshjes e vlerësoi maksimalisht gjendjen fizike dhe ndikimin e sulmuesit, duke theksuar se ai ka arritur një nivel shumë të mirë forme. “Është një proces natyral që po e zhvillojmë.
Neymar e ka mbushur ‘rezervuarin’, siç themi ne. Edhe Gabigol po ashtu. Sot bënë një ndeshje shumë të mirë. Nuk i kam parë ende të dhënat fizike, por me siguri ka qenë një nga paraqitjet më të mira të tyre këtë sezon në aspektin fizik dhe konkurrues,” u shpreh ai.
Cuca shtoi gjithashtu se Neymar nuk ka nevojë të luajë çdo tre ditë nga 90 minuta të plota, por mund të menaxhohet për të ruajtur formën dhe freskinë e tij gjatë gjithë sezonit.
Në aspektin statistikor, Neymar kishte ndikim të madh në lojë: 77 prekje të topit, 32 pasime të sakta nga 44 tentativa dhe 5 pasime të gjata të suksesshme.

Edhe pse nuk shënoi gol, ai krijoi dy raste kyçe dhe provoi 5 goditje drejt portës, duke treguar intensitet të lartë gjatë gjithë ndeshjes. Po ashtu, ai fitoi 14 duele dhe rikuperoi 3 topa.
Ky rikthim vjen në një moment të rëndësishëm për ambiciet e Brazilit drejt FIFA World Cup 2026. Trajneri i kombëtares, Carlo Ancelotti, ka theksuar më herët se Neymar duhet të jetë në formë optimale për të siguruar ftesën, ndërsa vetë lojtari synon të jetë lider i “Seleçaos” në turneun e madh. /GazetaExpress/