Para pak orësh, në Ferizaj, ka ndodhur një përleshje fizike ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
Nga policia është bërë e ditur se në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë zjarri dhe tri gëzhoja, ndërsa një person është lënduar si pasojë e përleshjes e jo nga arma e zjarri.
“Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e përleshjes, jo nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe tri gëzhoja. Një person është shoqëruar në stacion policor, ndërsa i dyshuari tjetër është identifikuar dhe ndodhet në kërkim policor. Lidhur me rastin, njësitë relevante policore, përfshirë Hetimet dhe Forenzikën të stacionit, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa njësi janë vënë në kërkim të dyshuarit”, është thënë nga Policia.
Pjesë e kësaj përleshjeje ka qenë edhe reperi Buta.
Për këtë, zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli, për Express, ka bërë të ditur se, këngëtari është dorëzuar në polici, i cili është dërguar për tretman mjekësor si pasojë e lëndimeve në dorë.
‘’Ju njoftojmë se rreth orës 22:05, kemi pranuar informacion për lokacionin e të dyshuarit B.J., i cili ka njoftuar se do të dorëzohet.
Menjëherë është angazhuar njësiti policor, i cili në rrugën “Halim Spahija” në Ferizaj ka arrestuar të dyshuarin. Për shkak të lëndimeve në dorë dhe është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për tretman mjekësor’’, ka thënë Veseli për Express.