A mendon se i dallon ngjyrat me lehtësi? Një test i ri online po tregon se perceptimi i ngjyrave është shumë më i ndërlikuar nga sa duket.
Testi i quajtur “Hue Shift” i vendos përdoruesit përballë një sfide të thjeshtë në pamje të parë: të përputhin dy nuanca ngjyrash brenda vetëm 10 sekondave.
Rregullat janë minimale. Dy blloqe ngjyrash shfaqen në ekran. Njëri mbetet i pandryshuar, ndërsa tjetri duhet të rregullohet derisa të përkojë sa më saktë me të parin. Me një rrëshqitje në ekran, përdoruesi ndryshon tonin dhe ndriçimin e ngjyrës.


Në çdo raund ka vetëm 10 sekonda kohë, ndërsa një numërim mbrapsht shfaqet në sekondat e fundit për të shtuar presionin. Pas çdo përpjekjeje, jepet një vlerësim i gabimit: sa më i ulët rezultati, aq më i saktë përputhja.
Në fund të testit, shfaqet rezultati final i quajtur “delta–E”, një matje që tregon sa afër ishin përpjekjet me ngjyrën reale. Sa më i vogël ky numër, aq më e mirë aftësia e dallimit të nuancave.
Testi është krijuar nga inxhinieri i softuerit Keith Cirkel, i cili ka zhvilluar disa lojëra të tjera me bazë ngjyrat. Ai është bërë viral për shkak të thjeshtësisë së rregullave dhe vështirësisë së papritur.

Sipas përshkrimit të lojës, sistemi i kontrollit kërkon pak kohë për t’u mësuar, por më pas rezultatet përmirësohen shpejt me praktikë.
Nëse performanca është e dobët, loja sugjeron se duhet “pak praktikë për të kuptuar boshtet e ngjyrës dhe ndriçimit”. Ndërsa për rezultatet më të mira, theksohet kontrolli i qëndrueshëm dhe aftësia për të dalluar menjëherë ndryshimet delikate.
Për ata që e pëlqejnë këtë sfidë, Cirkel ka krijuar edhe një test tjetër të njohur si “What’s My JND?”, ku lojtarët përpiqen të gjejnë kufirin minimal mes dy ngjyrave – pra ndryshimin më të vogël që syri mund të dallojë. /GazetaExpress/