Në skenë vjen shfaqja teatrore “Më e vërtet se e vërteta”, një tragjikomedi që trajton marrëdhënien e njeriut me ndjenjat, teknologjinë dhe krijesën e tij më të avancuar.
Në qendër të historisë janë dy miq të ngushtë, Julio dhe Franqesko. Julio është një biznesmen i suksesshëm, por që po përballet me depresion, ndërsa Franqesko, miku dhe menaxheri i tij besnik, vendos t’i bëjë një dhuratë të pazakontë për ditëlindje: një robot të krijuar nga inteligjenca artificiale, aq i përsosur sa duket më real se vetë realiteti.
Në fillim, Julio e refuzon këtë ide. Por gjithçka ndryshon kur ai vëren afrimin e Franqeskos me robotin, duke krijuar xhelozi dhe tension mes tyre. Situata komplikohet edhe më shumë kur roboti fillon të shfaqë emocione dhe lind një lidhje e papritur emocionale.




Megjithatë, historia merr një kthesë dramatike kur zbulohet se robotët kanë shfaqur defekte të rrezikshme dhe po sulmojnë pronarët e tyre. Autoritetet kërkojnë që ata të çaktivizohen menjëherë.
Në kulmin e ngjarjeve, roboti shpreh revoltën e tij me fjalët: “Ju njerëzit jeni pa ndjenja…”, duke vënë përballë njeriut krijesën e tij.
Shfaqja sjell një përplasje mes emocioneve njerëzore dhe inteligjencës artificiale, duke alternuar momente humori dhe dramatike që prekin thellë publikun.
“Më e vërtet se e vërteta” premton një përvojë teatrale që sfidon mendimin mbi kufirin mes njeriut dhe teknologjisë.
Shfaqja shfaqet sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës. /GazetaExpress/