Vëmendja e opinionit botëror është drejtuar tek Islamabadi, ku do të negociojnë delegacionet e SHBA dhe Iranit. Ekspertët shprehen me optimizëm të matur, por theksojnë se dështimi mund të sjellë kaos edhe më të madh.
Kryeqyteti i Pakistanit, Islamabadi, rrëzë vargmalit Margalla, nuk është i panjohur për diplomacinë e nivelit të lartë, por këtë fundjavë qyteti duket ndryshe, pasi bota është fokusuar tek bisedimet mes delegacioneve të SHBA-së dhe Iranit. Takimi i zhvillohet pas më shumë se një muaji lufte midis SHBA-së dhe aleatit të saj Izraelit nga njëra anë dhe Iranit nga ana tjetër.
Një qetësi e pazakontë mbizotëron Islamabadin. Kolona SUV-esh të zinj përshkojnë rrugët pothuajse bosh, ndërsa kryeqyteti ndodhet në gatishmëri maksimale. Postblloqe të shumta dhe prania e forcave paramilitare rreth godinave qeveritare nënvizojnë peshën e bisedimeve delikate që do të zhvillohen këtu mes palëve ndërluftuese.
Bisedimet SHBA–Iran pritet të nisin të shtunën
Autoritetet kanë vendosur pjesë të kryeqytetit nën masa të rrepta sigurie, duke forcuar kontrollin në Zonën e Kuqe, distriktin diplomatik dhe qeveritar të mbrojtur rëndë të Islamabadit.
Zyrtarë iranianë dhe delegacioni amerikan, i kryesuar nga nënpresidenti JD Vance, pritet të mbërrijnë në Islamabad të premten (10.04.2026), ndërsa bisedimet ka gjasa të nisin të shtunën.
Disa rrugë janë mbyllur, shkollat në zonat përreth kanë kaluar në mësim online dhe institucionet shtetërore në pikat kyçe kanë njoftuar mbyllje të përkohshme për të lehtësuar kufizimet e lëvizjes.
Në fokus: depërshkallëzimi dhe Ngushtica e Hormuzit
Sipas raportimeve, Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, dhe Shefi i Shtabit të Ushtrisë, Marshalli Asim Munir, pritet të përfshihen në diskutime, ndonëse lista përfundimtare e pjesëmarrësve ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Edhe agjenda mbetet e hapur, por pritet që në qendër të bisedimeve të jenë depërshkallëzimi i situatës në rajon, siguria detare — veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit — si dhe tensionet më të gjera mes Uashingtonit dhe Teheranit.
Një zyrtar pakistanez, i përfshirë në përgatitjet dhe që kërkoi të mbetet anonim, i tha DW-së se Islamabadi dëshiron që bisedimet të zhvillohen sa më shpejt dhe pa pengesa.
“Ne jemi të angazhuar seriozisht me të dyja palët dhe nuk duam ta rrezikojmë procesin. Roli ynë është ai i lehtësuesit dhe ndërmjetësit, me synimin për të arritur një zgjidhje paqësore,” tha ai, duke shtuar se çdo zhvillim apo njoftim mbi bisedimet u takon Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.
Pakistani afirmohet si ndërmjetës kyç i bisedimeve
Analistët vërejnë se pritja e këtyre bisedimeve nga Islamabadi nënvizon rëndësinë strategjike të Pakistanit, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme po intensifikohen.
“Përpjekjet diplomatike të Pakistanit i kanë siguruar vendit besueshmëri si një fuqi e mesme që po tregon rol aktiv dhe iniciativë si palë e interesuar në të ardhmen e rajonit më të gjerë,” i tha DW-së Farwa Aamer, Drejtoreshë e Nismave për Azinë Jugore në Institutin e Politikave të Asia Society në Nju Jork.
“Të arrish ta realizosh këtë mes dy kundërshtarëve të mëdhenj dhe në një klimë me mungesë serioze besimi përbën një fitore të madhe diplomatike për një vend që deri vitin e kaluar shihej në periferi të arenës ndërkombëtare,” tha Aamer.
Ajo shtoi se “marrëdhëniet dhe mirëkuptimi i Pakistanit me Iranin, si dhe lidhjet e tij të zgjeruara me Presidentin Trump, kanë ndihmuar ndjeshëm procesin e afrimit diplomatik në këtë moment kritik.”
Bazë për një marrëveshje depërshkallëzimi
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara sulmuan Iranin në fund të muajit shkurt, duke shkaktuar një luftë që ka lënë mijëra të vrarë dhe ka goditur rëndë ekonominë globale. Irani bllokoi Ngushticën e Hormuzit, një korridor jetik për energjinë botërore, duke shkaktuar mungesa të mëdha të naftës dhe gazit dhe rritje dramatike të çmimeve në mbarë botën.
Ndërhyrja e Pakistanit çoi palët drejt një armëpushimi dyjavor, të arritur të martën në mbrëmje — por vetëm pasi ish‑presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se “një qytetërim i tërë do të zhduket” nëse Irani nuk bashkëpunon.
Tension i lartë në Islamabad
Përpara takimit vendimtar, gjallëria e zakonshme e Islamabadit duket e zbehur. Dritat e rrugëve lëshojnë hije të gjata mbi bulevardet çuditërisht të zbrazëta pranë enklavës diplomatike. Herë pas here, heshtjen e thyejnë helikopterët që fluturojnë mbi qytet.
Për momentin, kryeqyteti pret — i siguruar, i vëzhguar dhe i pezulluar mes tensionit dhe shpresës.
“Sa kohë që ata po bisdojnë, ka ende një shans,” thotë Aliu, një mjek, duke hedhur vështrimin drejt një tjetër autokolone sigurie që kalon aty pranë. “Të gjithë këtu duan vetëm stabilitet. Kemi parë mjaft paqëndrueshmëri tashmë.”/DW/