Inteligjenca artificiale po shndërrohet gjithnjë e më shumë në “villanin” kryesor të dramave televizive moderne. Nga thrillerët politikë te fantashkenca, skenaristët po e paraqesin teknologjinë jo si shpëtimtare, por si një kërcënim real që mund të dalë jashtë kontrollit.
Një shembull i qartë është seriali The Capture, ku zbulohet se pas operacioneve të sofistikuara të mbikëqyrjes qëndron një sistem i avancuar AI, i aftë të analizojë rreziqe, të marrë vendime dhe madje të urdhërojë eliminime.

Seriali trajton tema si manipulimi i videove përmes “deepfake” dhe përdorimi i teknologjisë për të ndikuar në drejtësi dhe politikë.
Sipas krijuesit Ben Chanan, frymëzimi vjen drejtpërdrejt nga realiteti: zhvillimet në fushën e inteligjencës artificiale, dronët dhe përdorimi i softuerëve të avancuar në luftë po ndryshojnë mënyrën si zhvillohen konfliktet moderne.
Ai thekson se ajo që dikur dukej si fantashkencë, sot është shumë pranë realitetit.
Edhe produksione të tjera po ndjekin të njëjtën linjë. Në The Morning Show, inteligjenca artificiale përdoret për të krijuar versione digjitale të njerëzve që dalin jashtë kontrollit, ndërsa në seriale të tjera shfaqen “griefbots” – programe që simulojnë komunikimin me të vdekurit.

Filma si Devs dhe projekte të reja televizive eksplorojnë idenë e kompjuterëve kuantikë që mund të parashikojnë të ardhmen apo të manipulojnë realitetin. Këto rrëfime ngrenë pyetje të forta: a do ta shpëtojë AI njerëzimin apo do ta çojë drejt shkatërrimit?
Frika nga kjo teknologji po bëhet gjithnjë e më e pranishme, sidomos me përhapjen e “deepfake”-ve dhe manipulimit të informacionit. Besueshmëria e videove dhe provave digjitale po vihet në pikëpyetje, duke hapur dilema serioze për të ardhmen e drejtësisë dhe sigurisë.
Në fund, mesazhi që vjen nga këto drama është i qartë: teknologjia po përparon me ritme të frikshme dhe, ndryshe nga dikur, kërcënimi i saj nuk është më thjesht fantazi. /GazetaExpress/