Veprimtari shqiptar në SHBA, Harry Bajraktari, është shprehur se me dhimbje të thellë, ka pranuar lajmin për vdekjen e kongresistit amerikan Eliot Engel.
Bajraktari, ka thënë se Engel, ka qenë zëri i shqiptarëve në Kongresin e SHBA’ve për më shumë se tre dekada, dhe se ai është mik i pazëvendësueshëm i kombit shqiptar.
‘’…një nga figurat më të merituara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për një Shqipëri demokratike dhe anëtarësimin e saj në NATO’’, ka thënë ai, përcjell Gazeta Express.
Postimi:
Me dhimbje të thellë, vajtojmë ndarjen nga jeta të mikut të madh të popullit shqiptar, kongresmenit amerikan Eliot Engel — zëri i shqiptarëve në Kongresin e Shteteve të Bashkuara për më shumë se tre dekada. Ai është një mik i pazëvendësueshëm i kombit shqiptar, një nga figurat më të merituara për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për një Shqipëri demokratike dhe anëtarësimin e saj në NATO 🇺🇸🇦🇱🇽🇰
Për mua personalisht, Eliot Engel ishte si një vëlla dhe miku im më besnik në betejat tona për Kosovën. Që nga dita e parë, në vitin 1989, kur trokita në derën e zyrës së tij për të folur për vuajtjet e popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën e tij, por edhe zemrën e tij për popullin shqiptar.
Populli shqiptar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, Çamëri dhe në mbarë diasporën do ta kujtojë përgjithmonë si një nga miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë në Uashington dhe Nju Jork. Ai qëndroi pranë nesh në ditët tona më të errëta dhe mbeti me ne në momentet tona më të lumtura, kur Kosova shpalli pavarësinë dhe Shqipëria u bë anëtare e NATO-s.
Sot, kombi shqiptar përkulet me mirënjohje të pafundme para këtij njeriu të drejtë dhe fisnik. Historia jonë nuk mund të shkruhet pa emrin e Eliot Engel. Do ta kujtojmë si kongresmenin e shqiptarëve, mikun që nuk na tradhtoi kurrë, njeriun që foli për ne kur nuk kishim zë.
Ngushëllimet tona më të sinqerta i shkojnë familjes Engel, bashkëshortes së tij Pat Engel, fëmijëve të tij dhe të gjithë të afërmve e miqve. Sot ndajmë dhimbjen e tyre, por edhe krenarinë që patëm nderin ta quanim Eliot Engel mikun tonë.
U prehtë shpirti i tij në paqe. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së Eliot Engel
With deep sorrow, we mourn the passing of the great friend of the Albanian people, U.S. Congressman Eliot Engel — the voice of Albanians in the United States Congress for more than three decades. He is an irreplaceable friend of the Albanian nation, one of the most deserving… pic.twitter.com/FSL0rvo6q3
— Harry Bajraktari (@HarryBajraktari) April 10, 2026