Paris Saint-Germain është shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje të re me trajnerin Luis Enrique, e cila pritet ta mbajë atë në krye të ekipit deri në vitin 2030.
Trajneri spanjoll është kthyer në figurën kyçe të projektit afatgjatë të klubit parisien, dhe drejtuesit duan të sigurojnë vazhdimësinë e tij përtej kontratës aktuale, e cila ishte e vlefshme deri në vitin 2027. Marrëveshja e re synon ta lidhë atë edhe për katër vite të tjera me kampionët e Francës.
Drejtuesit e klubit, të udhëhequr nga presidenti Nasser Al-Khelaifi, po punojnë për të finalizuar detajet para përfundimit të sezonit. Madje, PSG po e ndihmon trajnerin edhe në çështje personale, si gjetja e një banese të re në Paris, për të siguruar rehati për familjen e tij.

Kontrata e re pritet të shoqërohet me një rritje të ndjeshme page, duke e futur Luis Enrique në mesin e tre trajnerëve më të paguar në Evropë. Megjithatë, sipas burimeve pranë tij, trajneri është më shumë i fokusuar te projekti sportiv dhe stabiliteti familjar sesa te përfitimet financiare.
Ky besim i klubit vjen pas rezultateve pozitive nën drejtimin e tij, përfshirë edhe fitoren 2-0 ndaj Liverpool në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve. Megjithatë, Enrique mbetet kërkues dhe perfeksionist, duke theksuar se skuadra meritonte të shënonte më shumë gola.
PSG synon që me këtë marrëveshje të forcojë stabilitetin dhe ambiciet për sukses në skenën evropiane në vitet e ardhshme. /GazetaExpress/