Përplasje për ligjin e përfaqësimit: BDI e quan “regres brutal”, VLEN “arritje historike” - Gazeta Express
string(83) "perplasje-per-ligjin-e-perfaqesimit-bdi-e-quan-regres-brutal-vlen-arritje-historike"

Maqedoni

Gazeta Express

10/04/2026 14:49

Përplasje për ligjin e përfaqësimit: BDI e quan “regres brutal”, VLEN “arritje historike”

Maqedoni

Gazeta Express

10/04/2026 14:49

Debati politik rreth propozim-ligjit për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat” është ashpërsuar, me qëndrime diametralisht të kundërta mes BDI-së dhe koalicionit VLEN. Derisa njëra e quan “arritje historike”, tjetra e konsideron si “regres”, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) e ka cilësuar draftin si një “tradhti të hapur” ndaj arritjeve të deritanishme të shqiptarëve. Sipas kësaj partie, ligji i propozuar nuk garanton mekanizma konkretë për përfaqësim, pasi – siç theksohet në reagim – mungojnë kuotat etnike, nuk parashihen detyrime për identifikim etnik gjatë punësimit dhe avancimit, si dhe nuk ka dispozita ndëshkuese për moszbatim.
BDI vlerëson se një qasje e tillë rrezikon kthimin në periudhën para vitit 2001, kur përfaqësimi i shqiptarëve në administratë ishte minimal. Në kumtesë theksohet se ligji bie ndesh me frymën e Amendamentit VI të Kushtetutës dhe se politika afirmative po zhbëhet me vetëdije. Ata e cilësojnë këtë zhvillim si “vijë të kuqe” dhe bëjnë thirrje për distancim nga, siç thonë, politika të rrezikshme dhe të papërgjegjshme.


“Kjo që po ndodh është më shumë se zhgënjim, është tradhti e hapur ndaj çdo arritjeje për të cilën është sakrifikuar me dekada. Sa herë mendojmë se kanë arritur fundin, ata gjejnë mënyrë të re për të rënë edhe më poshtë. Propozim-ligji për “përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, i hartuar nga Karakamisheva dhe i përkrahur me bujë nga VLEN, nuk është arritje – është regres brutal. Propozim që po qarkullon në media: nuk parasheh kuota etnike, që dmth ne prap do të vazhdojmë si para vitit 2001 kur shqiptarët ishin vetem 0,2 % në administratë; nuk parasheh obligim për institucionet që ti identifikojë në bazë etnisë qytetarët me rastin e punësimit apo avancimit; nuk parasheh dispozita sanksionuese; Me një fjalë: një ligj mashtrimi, kurthi, pa shpirt, pa drejtësi”, thonë nga BDI.


Në anën tjetër, koalicioni VLEN e paraqet ligjin si një arritje të shumëpritur. Në konferencë për media, përfaqësuesit e këtij koalicioni deklaruan se për herë të parë, pas gati 25 vitesh, çështja e përfaqësimit të drejtë po rregullohet me ligj konkret.


Sipas VLEN-it, ligji vendos mekanizma të qartë institucionalë, duke përfshirë krijimin e një trupi koordinues qeveritar që do të mbikëqyrë zbatimin, i udhëhequr nga një zëvendëskryeministër shqiptar. Ata theksojnë gjithashtu se do të eliminohen keqpërdorimet përmes vetëdeklarimeve të rreme, duke u bazuar në metodologji të reja me të dhëna reale.


“Që nga viti 2001 e deri më sot, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është përdorur për propagandë e për mashtrim politik. Është përmendur sa herë kanë pasur nevojë për vota, por kur ka ardhur momenti për ta zgjidhur me ligj, janë strukur. Nuk e kanë bërë. Nuk kanë pasur as vullnet, as sinqeritet. Sot, kjo merr fund. Sot kemi Ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, i përpunuar edhe me sugjerimet e Komisionit të Venecias. Me këtë ligj, për herë të parë, kjo punë nuk mbetet pa ZOT SHTËPIE. Themelohet trup koordinues qeveritar, i udhëhequr nga zëvendëskryeministër shqiptar, që do të monitorojë dhe do të garantojë zbatimin.Tash kjo çështje ka adresë. Ka përgjegjës. Ky ligj sjell edhe një ndryshim tjetër shumë të madh. Nuk do të ketë më vetëdeklarime të rreme dhe mashtrime në kurriz të shqiptarëve. Do të ketë metodologji të bazuar në të dhëna reale. Pra, nuk do të ketë më hile. Nuk do të ketë më mashtrim me numra. Nuk do të ketë më lojëra prapa dere”, thonë nga VLEN.


Koalicioni shton se brenda gjashtë muajve do të bëhet harmonizimi i gjithë legjislacionit përkatës, duke e cilësuar këtë si një hap drejt vendosjes së rendit dhe përgjegjësisë institucionale.
Qeveria e Maqedonisë ndonëse më 7 prill e miratoi Propozim-ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të njëjtin vazhdon të mos e bëjë publik pavarësisht interesit të madh në opinion.
Pavarësisht se redaksia e Portalbit e kërkoi këtë propozim-ligj si dokument nga Qeveria, nga aty nuk e dërgojnë.


“Procedurat qeveritare janë drejt përfundimit para se ai të dërgohet në Kuvend, ku do të zhvillohet debat dhe do të jetë i hapur për publikun”, thanë nga Qeveria.


Propozim-ligji u miratua më 7 prill nga Qeveria, një vit e gjysmë pas shfuqizimit të ‘Balancuesit’ dhe pas shumë premtimeve dhe zvarritjeve për sjelljen e të njëjtit.


Ky ligj, sërish solli përplasje dhe akuza politike midis opozitës dhe pushtetit.
Propozim-ligji që do të zëvendësojë Balancuesin parasheh krijimin e një organi koordinues që do të monitorojë përfaqësimin adekuat dhe të drejtë në sektorin publik.


Ky organ do të vlerësojë përbërjen etnike të institucioneve, do të kërkojë raporte vjetore dhe, në rast mbipërfaqësimi, do të propozojë masa për ridistribuimin e punësimeve.


Punësimet e reja pritet të bëhen sipas planeve të hartuara me metodologji të re të Agjencisë për Nëpunës Administrativë dhe do të bazohen më shumë në meritë përmes testimeve elektronike dhe trajnimeve.
Qëllimi është të shmangen abuzimet e së kaluarës dhe të garantohet një administratë më efikase.
Megjithatë, ky ligj sipas opozitës shqiptare nuk është i formuluar mirë dhe nuk duhet të miratohet, pasi nuk parasheh mekanizma ndëshkues dhe se zbatimi do të mbetet vetëm në nivel rekomandimi.
Në Maqedoninë e Veriut për mbi dy vite nuk ka zgjidhje ligjore që garanton përfaqësim të drejtë dhe adekuat të qytetarëve gjatë punësimit të tyre në institucionet shtetërore.


Kjo pasi Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash e shfuqizoi Balancuesin i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore.
Balancuesi u shfuqizua pas nismës nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sepse, sipas tyre, me të bëheshin abuzime gjatë punësimit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement