Policia e Kosovës ka ndaluar një grup të rinjsh serbë me materiale nxitëse, mëngjesin e së premtes, në Jarinje.
KosovaPress mëson nga burime brenda institucioneve të sigurisë se bëhet fjalë për gjashtë të rinj serbë, të cilët transportonin materiale me përmbajtje nacionaliste dhe nxitëse.
Sipas të të njëjtave burime, materialet kishin përmbajtje nxitëse të urrejtjes dhe glorifikim të figurave të lidhura me sulmin në Banjskë.
Nga ajo që shihet në afishet, fotografi të të cilave ka siguruar KosovaPress, vërehen simbolet e grupit ultra-nacionalist “Delije Sever” nga Zveçani, të gërshetuara me portretin e Stefan Nedeljkoviqit, i përmendur si një nga personat e vrarë gjatë sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Grupi mund të ketë lidhje me rrjete më të gjera nacionaliste, ku përmendet edhe emri i Vladimir Radivojeviqit, i njohur me nofkën “Mami”, i cili është raportuar se ka qenë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në sulmin terrorist të vitit 2023 dhe se ka lidhje të drejpërdrejt me terroristin Millan Radojçiq.
“Kjo dëshmon se strukturat që goditën shtetin e Kosovës në Banjskë po riorganizohen përmes të rinjve në aktivitete destabilizuese ne Republikën e Kosovës, duke synuar fshehjen e përfshirjes se mekanizmave te Serbisë”, thonë për KosovaPress nga institucionet e sigurisë në kushte anonimiteti.
Por, si duket kaq nuk i ka mjaftuar Prokurorisë në Mitrovicë, pasi siç mëson KosovaPress, prokurorja kujdestare, vetëm pak orë pas arrestimit, urdhëroi lirimin e tyre në procedurë të rregullt.
Sipas ligjeve në fuqi, kjo vepër konsiderohet si “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik” dhe mund të dënohet me burgim deri në pesë vjet, veçanërisht kur shoqërohet me simbole që nxisin dhunë.
Ndryshe, prapavija e “Delijeve” buron nga një rrjet i ndërlikuar që shtrihet deri në majat e pushtetit në Beograd. Vetë Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka pohuar publikisht rëndësinë e këtij grupi, duke kujtuar me krenari kohën kur ishte pjesë aktive e tyre. Kjo mbështetje politike forcohet edhe më shumë nga lidhja me shërbimin sekret serb (BIA), ku Bojan Dimiq, një nga eprorët kryesorë të këtij shërbimi, mban njëkohësisht postin e anëtarit të Bordit Drejtues të Shoqatës Sportive “Crvena Zvezda”.
/Kosovapress/