Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka bërë një reagim në lidhje më një vendim të Gjykatës Komerciale e cila obligon Ndërmarrjen Publike Banesore të paguaj 32 milionë euro dëmshpërblim.
Me këtë rast Lidhja e Biznesve të Kosovës ka kërkuar që të ndalet presioni politik mbi drejtësinë duke thënë se në këtë mënyrë rrezikohet besimi në ekonomi dhe klima e të bërit biznes.
“Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me vendimin gjyqësor për dëmshpërblimin prej mbi 32 milionë eurosh” thuhet në reagim.
“Raste të tilla, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin publik dhe në klimën e të bërit biznes, kërkojnë transparencë të plotë, profesionalizëm të lartë dhe trajtim të kujdesshëm institucional” theksohet tutje.
Reagimi i plotë
Të ndalet presioni politik mbi drejtësinë – rrezikohet besimi në ekonomi dhe klima e të bërit biznes
Si Lidhje e Bizneseve të Kosovës, shprehim shqetësimin tonë lidhur me zhvillimet e fundit që ndërlidhen me vendimin gjyqësor për dëmshpërblimin prej mbi 32 milionë eurosh.
Raste të tilla, që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin publik dhe në klimën e të bërit biznes, kërkojnë transparencë të plotë, profesionalizëm të lartë dhe trajtim të kujdesshëm institucional.
Në të njëjtën kohë, theksojmë se është thelbësore që sistemi i drejtësisë të funksionojë i pavarur dhe i lirë nga çdo ndërhyrje politike. Vendimet e drejtësisë nuk duhet të politizohen, ndërsa çdo presion i jashtëm cenon besimin në institucione dhe krijon pasiguri për sektorin privat.
Gjithashtu, është me rëndësi të veçantë që në diskursin publik të ruhet integriteti dhe imazhi i kompanive, duke shmangur paragjykimet dhe dëmtimin e reputacionit të bizneseve që operojnë në përputhje me ligjin.
Komuniteti i bizneseve ka nevojë për siguri juridike, vendimmarrje të drejtë dhe një ambient të qëndrueshëm, ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
Prandaj, bëjmë thirrje që ky rast të trajtohet me përgjegjësi të plotë nga të gjitha instancat përkatëse, ndërsa akterët politikë të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që mund të interpretohen si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.
Vetëm përmes respektimit të shtetit ligjor mund të ndërtojmë një ekonomi të fortë dhe një klimë të besueshme për investime.
Një qasje e re investimi me Next to Vala Mar Premium Në një treg imobiliar që evoluon vazhdimisht, investitorët...