Në Njësinë Kundërzjarrit në Dibër informojnë se për tre muajt e parë të vitit 2026 kanë pasur 114 intervenime. Komisari i njësisë, Xhetan Miftaroski, për gazetën KOHA thotë se paraqitja e zjarreve rritet nga viti në vit.
Dibër, 9 prill – Në Komunën e Dibrës, si dhe në komunat rurale Qendër Zhupë dhe në një pjesë të Komunës Mavrovë–Rostushë, respektivisht në rajonin e Rekës së Poshtme, të cilat i mbulon me aktivitetet e saj Njësia e Zjarrfikësve në Dibër, është vërejtur rritje e numrit të zjarreve, sidomos në hapësira të hapura. Kështu ka filluar edhe ky vit, ku gjatë tre muajve të parë është shënuar dyfishim i zjarreve në krahasim me numrin e zjarreve në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janar–mars.
Në Njësinë Kundërzjarrit në Dibër informojnë se për tre muajt e parë të vitit 2026 kanë pasur 114 intervenime. Komisari i njësisë, Xhetan Miftaroski, për gazetën KOHA thotë se paraqitja e zjarreve rritet nga viti në vit. “Në periudhën janar–mars të këtij viti kemi pasur 114 intervenime, që në krahasim me tre muajt e parë të vitit 2025 paraqet dyfishim të zjarreve, pasi atëherë ka pasur 53 intervenime. Tani kemi 61 intervenime më shumë”, thotë Miftaroski.
Sipas tij, këtë vit nga numri i përgjithshëm i intervenimeve, 67 janë intervenime në hapësira të hapura, 24 në objekte, ndërsa të tjerat janë intervenime teknike.
Të dhënat tregojnë se problemi më i madh është paraqitja e shpeshtë e zjarreve në hapësira të hapura. Këto zjarre, në krahasim me zjarret që paraqiten në objekte, janë trefish më të shumta. Në Njësinë e Zjarrfikësve thonë se për shkak të zjarreve të shpeshta në hapësira janë marrë edhe masa më të mëdha për të ruajtur sidomos pyjet.
Udhëheqësia e Njësisë Kundërzjarrit potencon se katërmbëdhjetë zjarrfikësit janë profesionistë të mirë dhe me sukses i realizojnë detyrat e tyre. Por njëkohësisht ka edhe propozime nga disa institucione që të themelohet edhe një grup zjarrfikësish vullnetarë, të cilët në momente të caktuara do të ndihmonin njësinë territoriale të zjarrfikësve, pasi në Dibër në të kaluarën ka pasur një grup shumë të suksesshëm vullnetarësh.
Aktualisht, sa u takon zjarreve në hapësirë, kompetentët vlerësojnë se ato shkaktohen nga persona të pandërgjegjshëm, por edhe nga barinj, të cilët shpesh tentojnë që pas djegies së pyjeve të krijojnë hapësira të pastra për nevojat e tyre. Po ashtu, problem paraqet edhe në këto ditë pranvere djegia e mbetjeve për pastrimin e arave nga ana e disa bujqve.
Si lokalitete problematike, ku shpesh paraqiten zjarre, përmenden territoret e fshatrave kufitare ku nuk ka banorë, pastaj fshatrat malore të Dibrës, por edhe të komunës rurale Qendër Zhupë, si dhe disa lokalitete në drejtim të deponisë dhe periferisë së epërme të qytetit të Dibrës. Deri tani kjo njësi, sipas nevojës, ka ndërhyrë me sukses edhe në shuarjen e zjarreve në vendbanimet rurale kufitare në Shqipëri, në territorin e Bashkisë së Peshkopisë, si aktivitete humane me leje nga pushteti vendor. Drejtoria në vazhdimësi apelon që popullata të mos ndezë zjarre në hapësira të hapura, pasi ato mund të dalin lehtësisht jashtë kontrollit.
tag_katrorimaqedoni_2
Një qasje e re investimi me Next to Vala Mar Premium Në një treg imobiliar që evoluon vazhdimisht, investitorët...