Është ekstradua këtë të enjte nga Italia në Shqipëri, Aleks Ndreka, alias Aleks Deda, 49 vjeç, i njohur si “Leksi i druve”, nën akuzë për dosjen “Revanshi”.
Sipas raportimeve të policisë, 49-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi dyshohet se ka siguruar informacione mbi vendndodhjen e tre shtetasve shqiptarë dhe se ka organizuar dhe koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke planifikuar pritë me qëllim vrasjen e tyre.
“Në vijim të koordinimit të veprimeve operacionale, me homologët italianë, nëpërmjet specialistëve të Interpol Tiranës dhe specialistëve të Interpol Romës, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua procedura për ekstradimin nga Italia, në Shqipëri, të shtetasit A. N. alias A. D., 49 vjeç.
49-vjeçari ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Shtetasi A. N. alias A. D. akuzohet se pasi ka siguruar informacion mbi vendndodhjen e 3 shtetasve shqiptarë, ka organizuar dhe ka koordinuar bashkëpunëtorët e tij, duke organizuar prita, me qëllim vrasjen e tyre”, thuhet në njoftimin e policisë./EuronewsAlbania/
Një qasje e re investimi me Next to Vala Mar Premium Në një treg imobiliar që evoluon vazhdimisht, investitorët...