Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, njofton se sot hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin M.G., i cili dyshohet se është i përfshirë në disa vepra penale, si: “Vjedhja” dhe “Vjedhja e rëndë”.
Gjatë ndalimit të tij nga hetuesit policorë, në trupin e të dyshuarit, është gjetur një substancë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, tha Bytyqi.
Lidhur me rastin, në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që ndërlidhen me rastet në fjalë.
“I dyshuari, gjatë intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, ka pranuar se ka kryer disa vjedhje në markete dhe vetura. Ndaj tij, me vendim të prokurorit kujdestar, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, konfirmon Bytyqi.
Bytyqi shton se “policia po punon me përkushtim në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në veprat penale të vjedhjes”.
Tutje, ai njofton se sot në orët e hershme të mëngjesit, “policia ka arritur të arrestojë në flagrancë tre të dyshuar në një rast të vjedhjes së rëndë”.
“Të dyshuarve u është sekuestruar një sasi e bizhuterive të arit të vjedhura, si dhe një automjet i përdorur në kryerjen e veprës”, tha Bytyqi.
“Pas përfundimit të procedurave, stolitë e arit i janë kthyer pronarit të ligjshëm, ndërsa tre të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë”, përfundoi ai.