Një person ultra djathtist nga Serbia po e mbështet kryeministrin aktual hungarez Viktor Orban në fushatën zgjedhore përpara zgjedhjeve parlamentare.
Mario Bojić, i cili përhap teori konspiracioni dhe propagandë pro-ruse në kanalin e tij në YouTube, i cili ka rreth 130,000 ndjekës, bëri një reportazh nga Budapesti në të cilin e paraqiti Orbanin si mbrojtësin e Evropës nga “terroristët islamikë” dhe e etiketoi kandidatin e opozitës Peter Magyar si një kukull të Bashkimit Evropian.
“Mbështetja e tij për Orbanin sugjeron që Bojić mund të jetë pjesë e një rrjeti ndikuesish dhe gazetarësh të organizuar nga Kremlini për të mbështetur kryeministrin aktual hungarez”, tha Bulcsu Hunyadi i Institutit të Kapitalit Politik me seli në Budapest për Radion Evropa e Lirë.
Bojić nuk iu përgjigj ftesës së REL për të qenë i intervistuar për këtë artikull.
Partia Fidesz e Orbanit ka qenë në pushtet në këtë shtet anëtar të Bashkimit Evropian që nga viti 2010, dhe përpara zgjedhjeve të 12 prillit, sondazhet parazgjedhore i japin një avantazh partisë opozitare TISA të udhëhequr nga Peter Magyar.
Kryeministri aktual është një partner i ngushtë i Federatës Ruse, edhe pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, dhe mediat amerikane publikuan së fundmi një seri artikujsh rreth lidhjeve të shërbimeve sekrete ruse me zyrtarët e lartë hungarezë.
