Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka njoftuar se pas më shumë se një dekade vonesash dhe padrejtësish institucionale, 109 punonjës të Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec” në Gostivar më në fund do të përfitojnë sigurimin shëndetësor.
Sipas tij, zgjidhja është arritur përmes një marrëveshjeje të lidhur me Fondin për Sigurim Shëndetësor, e cila parasheh shlyerjen e borxhit të ndërmarrjes me këste. Në këtë kuadër, ministri bëri të ditur se së bashku me drejtorin e Fondit, Sasho Klekovski, kanë prezantuar këtë zgjidhje që i jep fund një problemi të kahershëm.
Ai theksoi se bëhet fjalë për një situatë të papranueshme që ka zgjatur për vite të tëra, ku punonjësit kanë mbetur pa sigurim jo për fajin e tyre, por si pasojë e pasivitetit institucional dhe neglizhencës.
Ministri Azir Aliu e cilësoi këtë hap si rikthim të një të drejte themelore për punonjësit që çdo ditë kontribuojnë për komunitetin, duke theksuar se askush nuk duhet të mbetet pa sigurim shëndetësor për shkak të mungesës së përgjegjësisë institucionale.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të të drejtave sociale dhe forcimit të përgjegjshmërisë në menaxhimin e institucioneve publike në vend.
tag_katrorimaqedoni_2