Do të jetë një natë e madhe sonte në “Spotify Camp Nou” ku Barcelona e pret Atlético Madridin në përballjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Jo vetëm për rëndësinë e ndeshjes, por edhe për atmosferën që pritet të jetë shumë e zjarrtë.
Në klubin katalunas ka besim: objektivi është të afrohen te shifra e 60 mijë spektatorëve, duke iu afruar rekordit të fundit të regjistruar në “Clásicon” e futbollit të femrave, shkruan “Gazeta Express”.
Pas rihapjes së pjesshme të stadiumit, publiku ka dhënë tashmë sinjale të rëndësishme, me pjesëmarrje që kanë qenë vazhdimisht mbi 56 mijë tifozë.
Por këtë herë synohet edhe më shumë.
Shtysë në këtë drejtim jep edhe mesazhi i trajnerit Hansi Flick, i cili e theksoi rëndësinë e lidhjes mes skuadrës dhe tifozëve.
“Lidhja është fantastike. Kemi nevojë për ta”.
Fjalë që e pasqyrojnë një moment harmonie të rikthyer, ku publiku mund ta bëjë vërtet diferencën.
Nuk do të ketë një koreografi speciale, por efekti vizual do të jetë i garantuar: klubi do të shpërndajë flamuj për ta ngjyrosur stadiumin dhe për ta rritur mbështetjen ndaj ekipit.
Megjithatë, sfida është klasifikuar me rrezikshmëri të lartë.
Për këtë arsye, Barcelona ka aktivizuar masa të rrepta sigurie, duke e kufizuar shitjen e biletave për tifozët mysafirë vetëm në sektorin e dedikuar për ta.
Priten rreth 2.500 mbështetës të Atleticos.
Në fushë do të jetë betejë, por në tribuna do të luhet një tjetër ndeshje: ajo e tifozerisë.
Dhe në net të tilla, në Camp Nou, mund të vlejë sa një gol. /Gazeta Express