Ambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, Paolo Palminteri, në një deklaratë për gazetën KOHA, kërkesën e studentëve shqiptarë për ta zhvilluar provimin e Jurisprudencës në gjuhën në të cilën kanë ndjekur studimet, konkretisht në gjuhën shqipe, e ka cilësuar si legjitime. Diplomati italian thekson se, ndonëse nuk ka kompetencë për të dhënë vlerësime teknike mbi legjislacionin vendor, konsideron se kërkesa e studentëve është e arsyeshme dhe e justifikuar.
“Edhe pse nuk disponoj kompetencat e nevojshme për të dhënë një vlerësim teknik mbi këtë çështje në bazë të legjislacionit maqedonas, konsideroj se kërkesa e studentëve për ta zhvilluar provimin profesional në të njëjtën gjuhë në të cilën kanë ndjekur studimet është plotësisht legjitime. Gjuha juridike përbën një fushë tejet teknike dhe komplekse, ndaj zhvillimi i një provimi në një gjuhë tjetër nga ajo e përdorur gjatë viteve të studimit do të paraqiste një vështirësi të konsiderueshme. Protestat e tyre paqësore meritojnë vëmendje, respekt dhe vlerësim për kontributin që japin në jetën civile dhe politike të vendit”, vlerëson ambasadori Palminteri.
Ai ka përshëndetur edhe deklaratën e kryeministrit Mickoski se do të gjendet një zgjidhje e shpejtë për kërkesën e studentëve. “Ndërkohë, është bërë e ditur se Kryeministri ka deklaruar se do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje, çka përbën një sinjal pozitiv dhe inkurajues. Vlerësohet angazhimi i tij për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë dhe të qëndrueshme për situatën”.
Po ashtu, thotë ambasadori i Italisë në Shkup, mbetet bindja se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut do të japë një shtysë të rëndësishme pozitive, duke kontribuar në një zgjidhje konstruktive dhe në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve, gjithmonë në respekt të të drejtave të të gjithëve.
tag_katrorimaqedoni_2