Robert Lewandowski po largohet nga Barcelona. Kontrata e sulmuesit polakut skadon në qershor dhe gjiganti katalunas duhet të mendojë tashmë për të ardhmen.
Në vend që të hidhet menjëherë pas një emri të madh me kosto të lartë, klubi “Blaugrana” duket se e ka identifikuar një pistë sa befasuese aq edhe premtuese: futbollistin kosovar, Fisnik Asllani, i cili aktualisht luan te Hoffenheimi në Bundesliga, shkruan mediumi francez “Sport.fr”, përcjell “Gazeta Express”.
Një profil ende pak i njohur për publikun e gjerë, por rruga e tij në rritje të shpejtë dhe klauzola e lirimit prej 30 milionë eurosh e bëjnë një nga mundësitë më interesante të afatit kalimtar të verës së ardhshme.
Nga 800 mijë euro në 30 milionë për 18 muaj
Për ta kuptuar pse Barça është e interesuar për Asllanin, duhet të kthehemi te sezoni i kaluar.
I huazuar te SV Elversberg, klub i divizionit të dytë në Gjermani, lojtari kosovar shpërtheu plotësisht: 18 gola dhe 9 asistime në 33 ndeshje.
Në sezonin 2025-2026, Asllani e konfirmon veten: në 26 ndeshje me Hoffenheim, ai regjistron 9 gola dhe 7 asistime në ligë, pra një kontribut vendimtar pothuajse çdo dy ndeshje.
Një statistikë shumë e mirë për një lojtar të ri në një nga ligat më të forta në Evropë.
Një sezon i jashtëzakonshëm që e bindi Hoffenheimin ta aktivizojë në Bundesliga këtë verë dhe që bëri të rritet ndjeshëm vlera e tij në treg: nga 800 mijë euro në rreth 30 milionë euro, sipas Transfermarkt.
Një rritje prej afro 4000% në vetëm 18 muaj — një rast tipik i futbollit modern.
Asllanin e pëlqen edhe Bayern Munichu në Gjermani, por 23-vjeçari nuk e ka fshehur dëshirën për t’u transferuar në “Camp Nou” ndonëse për momentin dëshiron të mbetet i fokusuar tek sezoni aktual. /Gazeta Express