Premierliga i ka siguruar tashmë pesë vende në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm, falë rezultateve të shkëlqyera të klubeve angleze në kompeticionet evropiane.
Ky rezultat vjen si pasojë e renditjes së lartë në koeficientin e UEFA-s, që i shpërblen dy ligat më të mira me një vend shtesë në Champions League përmes sistemit të ashtuquajtur :European Performance Spot” (EPS), përcjell “Gazeta Express”.
Falë këtij mekanizmi, përveç katër vendeve tradicionale, edhe skuadra që përfundon në vendin e pestë në kampionat do të kualifikohet drejtpërdrejt në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube.
Megjithatë, skenari mund të bëhet edhe më ekstrem.
Premierliga mund ta çojë deri në 7 numrin e skuadrave në Champions, nëse realizohen disa kombinime të caktuara në fund të sezonit.
Në veçanti, kjo mund të ndodhë nëse:
një skuadër angleze e fiton Champions Leaguen pa u renditur në Top 5,
dhe një tjetër nëse e fiton Europa Leaguen, gjithashtu jashtë Top 5.
Në këtë rast, të dyja do të kualifikoheshin automatikisht, pa i “zënë” vendet e kampionatit, duke bërë që numri total i skuadrave angleze në Champions të rritet deri në shtatë.
Ky skenar nuk është thjesht teorik, pasi disa klube angleze janë ende në garë në garat evropiane dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në shpërndarjen e vendeve.
Një situatë që e konfirmon dominimin aktual të futbollit anglez në Evropë dhe që mund ta çojë në një përfaqësim rekord në Champions League sezonin e ardhshëm. /Gazeta Express