"L’epos degli albanesi” - libri më i ri i Kujtim M. Shalës - Gazeta Express
string(52) "lepos-degli-albanesi-libri-me-i-ri-i-kujtim-m-shales"

Arte

Gazeta Express

08/04/2026 13:12

“L’epos degli albanesi” – libri më i ri i Kujtim M. Shalës

Arte

Gazeta Express

08/04/2026 13:12

“L’epos degli albanesi” është libri më i ri i akademik Kujtim M. Shalës në gjuhën italiane. Ky libër monografik trajton epin e shqiptarëve, “Lahuta e Malcís” dhe ka shtatë kapituj: I. L’epos albanese; II. Il sacrificio Vranina; III. L’insegnamento didattica di letteratura e storia; IV. Marash Uci; V. I Leka; VI. Tringa; VII. La corona dell’ opera. Po ashtu, libri ka dhe Bibliografinë, si dhe një shënim për autorin. Struktura “L’epso degli albanesi” ndjek strukturën e epit “Lahutës së Malcís” të Gjergj Fishtës, si një vepër e përbërë nga cikle të veçanta tematike, që, të lidhura ndërmjet vete, japin epin e shqiptarëve; metoda e krijimit të epit, ka përcaktuar dhe sistematikën e kërkimit dhe të interpretimit. Sipas vlerësimit estetik letrar të studiuesit Shala, “Lahuta e Malcís” është kryevepra letrare e Fishtës dhe një kryevepër e letërsisë shqipe. Veprat e tilla, përpos vlerës estetike, janë vepra të rëndësishme letrare dhe kulturore, prandaj dhe vepra përfaqësuese.

Më tutje, autori studion mënyrën  e krijimit të veprës së Fishtës, gjininë e saj letrare, heronjtë letrarë, ngjarjet tregimtare themelore, formatin kulturor dhe moralin autentik të botës së veprës, si dhe mësimet letrare dhe identitare themelore të saj. Kapitujt e tjerë të kësaj monografie, analizojnë dhe interpretojnë gjashtë ciklet epike që e përbëjnë epin e Fishtës: këngët për Vraninën; këngët e Lidhjes së Prizrenit; këngët për Marash Ucin; për betejën e Sutjeskës; për Tringën, si dhe këngët e betejave për pavarësinë e Shqipërisë. Krijimi i veprës përgjatë pothuajse katër dekadave, e ka përcaktuar strukturën dhe natyrën e veçantë të veprës, fakt ky që duhet ta ketë parasysh studiuesi i epit, për të kapur qëllimet, si dhe natyrën e veçantë të epit të Fishtës rrëfen një ngjarje të veçantë, secili ka heronjtë e vet dhe moralin që jep me shembullin e heronjve, prandaj secili studiohet si tërësi epike, ndërsa të gjithë kapitujt e “L’epos degli albanesi” së bashku hapin veprën e madhe të Fishtës, këtë vepër të madhe të shqiptarizmës, mësimin e madh të saj, një mësim ky autentik, që jepet me shembuj të jetës dhe të nderit shqiptar; një veti tipike që, përpos shqiptarëve, duhet të njihet dhe nga të tjerët.

Veprat si “Lahuta e Malcís” e Gjergj Fishtës lexohen për estetikën dhe për tematikën, lexohen për t’u identifikuar, prandaj janë vepra identitare. Veprat e tilla japin mësimet e mëdha të idealitetit dhe të identitetit. Këtë nënvizon, në thelb, edhe ky studim. ”L’epso degli albanesi” në italishte është një ftesë për lexuesit në këtë gjuhë për të njohur një vepër të madhe letrare dhe identitare shqiptare. Libri, bashkë me pjesët e cituara nga “Lahuta e Malcís”, është përkthyer në mënyrë mjeshtërore nga Kopi Kyçyku. Ky është libri i 62 i këtij autori.

Advertisement
Advertisement
Advertisement