Do të duhen muaj që furnizimet globale me karburant për avionë të kthehen në normalitet edhe pasi Ngushtica e Hormuzit të rihapet, për shkak të ndërprerjeve në rafineritë në Lindjen e Mesme, tha Willie Walsh, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, e cila përfaqëson më shumë se 360 linja ajrore, raporton New York Times.
Ai u tha gazetarëve në Singapor të mërkurën se, për shkak të problemeve në rafineri, pret që çmimet e naftës së papërpunuar të bien, por kostot e karburantit për avionë të mbeten të larta.
Të dhënat e transportit detar tregojnë pak lëvizje në Ngushticën e Hormuzit më shumë se gjashtë orë pasi SHBA dhe Irani shpallën armëpushimin, ndërsa një analist paralajmëroi se anijet dhe siguruesit do të kenë nevojë të shohin shenja të tjera pozitive përpara se të rifillojnë trafikun përmes kësaj rruge ujore jetike, raportoi CNN.
“Armëpushimi është një hap i parë i domosdoshëm, por nuk do të thotë që transporti tregtar normalizohet menjëherë në korridoret ndërkombëtare të trafikut në Ngushticë” tha Charlie Brown, këshilltar i lartë për gjurmimin e flotave të errëta në organizatën United Against Nuclear Iran dhe ish-oficer i Marinës së SHBA-së.
“Pronarët e anijeve ende po presin udhëzime autoritative nga kanalet e sigurisë detare dhe, në mënyrë kritike, siguruesit e rrezikut të luftës detare përpara se t’i dërgojnë anijet përsëri në ngushticë”, shtoi Brown.
“Sinjali i vërtetë për t’u ndjekur janë ‘lëvizësit e parë’ –– anijet e para që janë të gatshme ta testojnë rrugën. Nëse këto kalime përfundojnë në mënyrë të sigurt, besimi do të rritet shpejt dhe pjesa tjetër që po pret do të ndjekë”.
Irani ka sulmuar të paktën 19 anije pranë Ngushticës së Hormuzit, e cila lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit, që nga fillimi i luftës. Bllokimi pothuajse gjashtëjavor i kësaj rruge ujore ka penguar furnizimet me naftë të papërpunuar drejt pjesës tjetër të botës dhe ka goditur tregjet globale.
Të mërkurën në mëngjes, ministri i Jashtëm i Iranit tha se “kalimi i sigurt përmes Ngushticës së Hormuzit do të jetë i mundur përmes koordinimit me Forcat e Armatosura të Iranit”. Irani dhe Omani do të tarifojnë anijet për të kaluar nëpër ngushticë gjatë periudhës së armëpushimit, ka bërë të ditur agjencia gjysmë-zyrtare e lajmeve Tasnim.