FIFA ka vendosur të ndërmarrë hapa konkretë pas incidenteve të fundit që i përfshinë tifozët e ekipit kombëtar të Spanjës gjatë një ndeshjeje miqësore.
Organizata më e lartë e futbollit botëror e ka hapur një procedurë disiplinore ndaj Federatës Spanjolle të Futbollit për shkak të thirrjeve me përmbajtje islamofobike dhe ksenofobike që u dëgjuan gjatë sfidës kundër Egjiptit.
Gjatë ndeshjes së zhvilluar në stadiumin RCDE pranë Barcelonës, një pjesë e tifozëve kënduan kore fyese si “kush nuk kërcen është musliman”, duke shkaktuar reagime të shumta dhe dënim publik.
Këto incidente janë regjistruar edhe në raportin zyrtar të referit, gjë që ka bërë që çështja të kalojë në Komitetin Disiplinor të FIFA-s, i cili do të vendosë për masat eventuale ndaj Spanjës, përcjell “Gazeta Express”.
Ndër sanksionet e mundshme përfshihen gjoba financiare, por edhe masa të tjera si detyrimi për të shfaqur mesazhe kundër racizmit në ndeshjet e ardhshme.
Paralelisht, autoritetet lokale në Spanjë kanë nisur hetime për këto thirrje, duke i konsideruar ato si akte të mundshme islamofobie dhe diskriminimi.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta edhe nga figura të futbollit dhe institucionet, ndërsa lojtari i Spanjës, Lamine Yamal, i cili është mysliman, i ka dënuar publikisht këto sjellje, duke i cilësuar si ofenduese dhe të papranueshme.
Ky episod e rikthen në vëmendje problemin e vazhdueshëm të racizmit dhe diskriminimit në futboll, ndërsa FIFA mbetet e vendosur ta ndjekë një politikë “zero tolerancë” ndaj çdo forme të tillë sjelljeje. /Gazeta Express