Strehimorja për qentë endacak vetëm premtim - Gazeta Express
string(43) "strehimorja-per-qente-endacak-vetem-premtim"

Maqedoni

Gazeta Express

07/04/2026 15:20

Strehimorja për qentë endacak vetëm premtim

Maqedoni

Gazeta Express

07/04/2026 15:20

Komuna e Tetovës veç më ka marrëveshje me një operator për trajtimin e qenve endacak, por megjithatë qen endacak hasen pothuajse çdo ditë rrugëve të Tetovës, përcjell Gazeta Express nga Gazeta Koha.

Tetovë, 7 prill – Për shkak të mungesës së lokacionit, strehimorja rajonale për qentë endacak edhe për një kohë nuk do të ndërtohet në rajonin e Pollogut. Strehimorja për trajtimin e qenve endacak ishte planifikuar fillimisht të ndërtohet në territorin e Komunës së Bërvenicës por më pas komuna nuk dha leje. Ndërkaq, më vonë u përmend se strehimorja mund të ndërtohet në territorin e Komunës së Vrapishtit, por edhe pas më shumë se katër vitesh ende nuk është lëvizur asgjë në këtë drejtim.

Sipas informacioneve jozyrtare, krerët e komunave të Pollogut ishin dakorduar që bashkërisht përmes Qendrës për Zhvillim të Rajonit Planor në Pollog të aplikojnë për mjete në Qendrën për Zhvillim Rural që të ndërtojnë strehimore rajonale, por për shkak të mungesës së dokumentacionit, nuk aplikuan.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se për katër vite nuk arritën të sigurojnë dokumentacionin teknik për strehimoren në Vrapçisht. Sipas tij, mos urbanizimi i lokacionit ka bërë që të mos mund të merret edhe leje për ndërtim.

“Para katër viteve ka pasur një projekt të gatshëm me të gjitha procedurat për në territorin e Komunës së Bërvenicës. Mirëpo, me ardhjen e kryetarit aktual në mandatin e parë të tij, ai e tërhoqi lejen dhe nuk u pajtua që në territorin e Komunës së Bërvenicës të ndërtohet një strehimore për qentë endacak. Në atë kohë kryetari i Komunës së Vrapishtit u dakordua që strehimorja të ndërtohet në atë komunë. Fatkeqësisht për katër vite nuk arritëm të sigurojmë dokumentacionin teknik, konkretisht planifikimin, urbanizimin e asaj hapësire që të mund të vijmë tek projekti dhe sigurimi i lejes për ndërtim. Pra, ende kryetari i Komunës së Vrapishtit nuk e përfunduar procedurën e urbanizimit të asaj hapësire që të aplikohet me projekt dhe të sigurohet leja”, deklaroi Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Përderisa mungon një strehimore rajonale, qytetarët e rajonit të Pollogut janë të ekspozuar ndaj rrezikut nga qentë endacak. Komuna e Tetovës veç më ka marrëveshje me një operator për trajtimin e qenve endacak, por megjithatë qen endacak hasen pothuajse çdo ditë rrugëve të Tetovës. Dyshimet janë se këto qen endacak sillen nga qytete tjera dhe lëshohen në Tetovë. Kryetari Kasami është shprehur se ende nuk kanë informacione se kush i sjell qentë endacak në Tetovë. Ai tha se megjithatë kompania që është përgjegjëse për trajtimin e qenve endacak në Tetovë kur vëren se sillen qen të njëjtit i merr dhe i trajton dhe më pas i lëshon sërish, ndërsa nënvizoi se pas trajtimit qentë nuk janë të rrezikshëm për qytetarët.

Ndryshe, kah mesi i vitit 2024 Komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshje për trajtimin e qenve endacak me një operator, i cili strehimoren e ka në fshatin Ratajë, territor i Komunës së Jegunocit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement