Sabotazhi i pretenduar në Serbi me pasoja të mundshme politike në Hungari - Gazeta Express
string(73) "sabotazhi-i-pretenduar-ne-serbi-me-pasoja-te-mundshme-politike-ne-hungari"

Lajme

Gazeta Express

07/04/2026 9:12

Sabotazhi i pretenduar në Serbi me pasoja të mundshme politike në Hungari

Lajme

Gazeta Express

07/04/2026 9:12

 Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se pret informacionet nga Serbia rreth planeve të supozuara për sabotimin e tubacionit Rrjedha Turke, përmes të cilit gazi rus arrin në Hungari, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Le të presim faktet, serbët do të na i japin ato”, deklaroi Orban gjatë vizitës së tubacionit nga ana hungareze, më 6 prill.

Ai tha se ukrainasit kanë aftësi për ta bërë këtë, por shtoi se nuk dihet ende nëse ata qëndrojnë pas këtij veprimi.

Beogradi e hodhi poshtë mundësinë e përfshirjes së Ukrainës, pas pretendimeve të autoriteteve serbe më 5 prill se pranë tubacionit u gjetën eksplozivë.

Tubacioni transporton gazin rus në Hungari nëpërmjet Turqisë, Bullgarisë dhe Serbisë.

Ende nuk dihet se kush qëndron pas planeve për sabotimin e tubacionit në Serbi, të cilat u bënë publike vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare në Hungari.

Një ditë pas gjetjes së eksplozivit, te vendi i incidentit nuk kishte as ushtarë, as policë.

Një pikë karburanti në fshatin Treshnjevac të Vojvodinës, pranë të cilit, sipas autoriteteve serbe, u gjetën eksplozivë, 6 prill 2026.

Një pikë karburanti në fshatin Treshnjevac të Vojvodinës, pranë të cilit, sipas autoriteteve serbe, u gjetën eksplozivë, 6 prill 2026.

Për Sërgjan Cvijiqin, nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd (BCBP), ka shumë paqartësi, për shkak të të cilave ai vlerëson se bëhet fjalë për një operacion “nën flamur të rremë”, me qëllim që t’i ndihmohet Orbanit në fund të fushatës zgjedhore.

“Tubacioni i gazit po sulmohet në një pikë ku shkatërrimi i mundshëm dhe efektet e atij shkatërrimi nuk janë aq serioze”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Ai shpjegon se në pika të tjera më të ndjeshme, siç është stacioni konvertues në Zhabarë, në lindje të Serbisë, apo në vendet ku tubacioni kalon nën lumenj, pasojat do të ishin më serioze.

“Është zgjedhur një pikë në një fushë shumë të hapur në veri të Vojvodinës, afër kufirit me Hungarinë, në një zonë ku jeton një popullsi me shumicë hungareze – baza elektorale e Orbanit”, thotë Cvijiq.

Sipas tij, në atë vend, edhe nëse toka nuk do ta amortizonte mjaftueshëm shpërthimin, pasojat do të ishin të kufizuara, pasi ndërprerja e furnizimit me gaz do të mund të rregullohej relativisht shpejt.

Në mes të marsit, pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë rritën sigurinë në stacionin e kompresorëve Vellika Pllana në Zhabarë.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se kjo po bëhej për arsye sigurie, për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.

Çfarë u tha për Ukrainën?

Autoritetet hungareze, që janë në konflikt me Ukrainën për shkak të ndërprerjes së furnizimit me naftën ruse përmes tubacionit Druzhba, nuk e akuzuan drejtpërdrejt Kievin.

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, tha se dhjetëra dronë e sulmuan tubacionin e gazit Rrjedha Turke që furnizon Hungarinë, në javët e fundit.

“Kjo seri sulmesh përfshin edhe një tentativë sulmi dhe sabotimi që u parandalua nga serbët”, tha Szijjarto.

Beogradi, megjithatë, këmbënguli se nuk është e vërtetë që ukrainasit u përpoqën të organizonin sabotim.

Gjuro Jovaniq, drejtor i Agjencisë së Sigurisë Ushtarake (VBA), tha se kishte dezinformata se pjesëtarë të Ushtrisë serbe do të vepronin për llogari të një pale të tretë, duke “gjetur” eksplozivë ukrainas, për të fajësuar pastaj Ukrainën.

Duke folur në një konferencë për media më 5 prill, ai tha se “kjo nuk është e vërtetë”.

Sipas tij, fakti që dihet prodhuesi i eksplozivit, nuk do të thotë se dihet edhe kush e ka porositur apo përdorur atë.

Jovaniq tha se nga shenjat në eksplozivë, rezulton se ai është prodhuar në Shtetet e Bashkuara.

“A do të thotë kjo që tani duhet të akuzohet SHBA-ja se qëndron pas kësaj?”, pyeti ai.

Kievi e hodhi poshtë mundësinë e përfshirjes, duke vlerësuar se ka gjasa të bëhet fjalë për një operacion të rremë rus, me qëllim ndërhyrjen në zgjedhjet në Hungari.

Ndërkaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “ka shumë të ngjarë që edhe këtë herë të gjenden shenja të përfshirjes së regjimit të Kievit”.

Ai tha se, më herët, “regjimi i Kievit është përfshirë drejtpërdrejt në akte të tilla sabotimi kundër infrastrukturës kritike të energjisë”.

Për analistin e sigurisë, Cvijiq, fakti që Beogradi nuk e ka drejtuar gishtin nga Ukraina, është një vendim politik.

“Tanët duhet të shmangin akuzat direkte ndaj Ukrainës dhe shpikin disa ‘migrantë të supozuar’, që përputhen lehtësisht me retorikën e Orbanit kundër migracionit”, thotë ai.

Autoritetet serbe thanë se shërbimet e tyre kishin informacione se një person nga një grup migrantësh do të përpiqej të sabotonte infrastrukturën e gazit.

Po sipas tyre, një “person i trajnuar ushtarakisht, i lidhur me grupin e migrantëve”, është ende në arrati.

Ato nuk specifikuan se nga cili vend vjen ai migrant, por thanë se do të arrestohet.

“Pyetja është vetëm nëse hetimi do të zgjasë tri ditë apo disa muaj”, tha Jovaniq.

Çfarë u gjet?

Më 5 prill, Serbia informoi Hungarinë se eksplozivë me “fuqi të madhe shkatërruese” ishin gjetur pranë kufirit midis dy vendeve.

Sipas presidentit serb, Vuçiq, dy pako të mëdha me eksplozivë u gjetën pranë tubacionit të gazit Rrjedha Ballkanike, pranë fshatit Velebit të Vojvodinës, në Serbinë veriore.

Rrjedha Ballkanike është pjesë e Rrjedhës Turke, e cila çon gaz nga Rusia në Hungari.

Agjencia serbe e Sigurisë Ushtarake tha se ishin gjetur eksplozivë dhe pajisje për përgatitjen e “eksplozivëve për sabotim”.

Zyra e Prokurorit në Suboticë tha se ishin gjetur dy çanta shpine që përmbanin rreth katër kilogramë të një substance që besohet të ishte eksploziv plastik.

Cilat janë efektet?

Përveç pyetjes se kush qëndron pas sabotimit të dyshuar, mbetet e hapur edhe çështja se si dhe në çfarë mënyre mund të ndikojë kjo në zgjedhjet në Hungari më 12 prill.

Gazetari i pavarur nga Budapesti, Gabor Bodish, thotë për Radion Evropa e Lirë se lajmi do t’i kishte shërbyer Orbanit nëse do të provohej një lidhje me Ukrainën.

“Meqenëse Serbia nuk tha se ukrainasit ishin të përfshirë, kjo ngjarje nuk mund të përdoret për diçka bombastike në fund të fushatës zgjedhore”, thotë ai.

Bodish e shpjegon këtë në kontekstin se, sipas tij, objektiv kryesor i partisë Fides të Orbanit në fushatën parazgjedhore, janë ukrainasit dhe pastaj Brukseli.

Në të njëjtën kohë, Orban përpiqet ta paraqesë kundërshtarin e tij, Peter Madjar, lider i opozitës Tisa, si një eksponent të Brukselit.

Dyshime lidhur me pretendimet për eksplozivë u shprehën edhe nga opozita në Serbi dhe ajo në Hungari.

Kundërshtari i Orbanit, Peter Madjar, e përshkroi ngjarjen si një operacion “nën flamur të rremë”, me qëllim ndikimin e Rusisë në zgjedhje.

“Peter Madjar tha se, nëse bëhet fjalë për një çështje kaq serioze, Viktori duhet t’i drejtohet NATO-s, ku Hungaria është anëtare”, thotë Bodish.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, pranë tubacionit të gazit Rrjedha Turke në anën hungareze, 6 prill 2026.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, pranë tubacionit të gazit Rrjedha Turke në anën hungareze, 6 prill 2026.

Tash për tash, nuk ka informacione nëse Hungaria i është drejtuar NATO-s.

Gazetarë të pavarur dhe ekspertë nga Budapesti thonë se për javë me radhë kanë folur për skenarin se Serbia dhe Rusia mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve në Hungari.

Në lidhje me dyshimet mbi pretendimet për një sabotim të planifikuar, as kabineti i presidentit të Serbisë, as Agjencia e Sigurisë Ushtarake nuk i dhanë përgjigje Radios Evropa e Lirë. Ngjashëm as kabineti i ministrit të Jashtëm hungarez.

Marrëdhëniet mes autoriteteve në Beograd dhe në Budapest

Autoritetet në Beograd dhe në Budapest mbajnë lidhje të ngushta.

Partitë në pushtet në Serbi u kanë bërë thirrje votuesve me shtetësi të dyfishtë që ta mbështesin Orbanin në zgjedhjet hungareze.

Të dyja qeveritë kanë vazhduar të mbajnë kontakte me Moskën, pasi Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Brenda BE-së, Hungaria e ka pozicionuar vazhdimisht veten si mbrojtëse të Serbisë.

Serbia nuk ka bërë ndonjë përparim në integrimin evropian që nga fundi i vitit 2021, duke humbur kështu statusin e saj si lidere në këtë proces në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Një nga arsyet është mungesa e koordinimit me politikën e jashtme të BE-së, përkatësisht refuzimi i saj për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Cvijiq vlerëson se në operacionin e supozuar të sabotimit mund të identifikohen të gjitha tezat e diskursit rus të dezinformatave, që shpërndahen në këto pjesë të Evropës dhe më gjerë.

Në të kaluarën, në territorin e Serbisë janë organizuar kampe për të shkaktuar trazira në Moldavi, me qëllim ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e atij vendi.

Po ashtu, shtetas serbë kanë qenë të përfshirë në shkaktimin e incidenteve ndërracore në Francë dhe në Gjermani, me urdhra të shërbimeve ruse.

Advertisement
Advertisement
Advertisement