Vinicius Juniori ka konfirmuar se nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Xabi Alonson gjatë kohës së këtij të fundit te Real Madridi.
Të dy patën një përplasje publike kur braziliani u zëvendësua gjatë “El Clasicos” në tetor, dhe pavarësisht deklaratave publike për të kundërtën, duket se marrëdhënia e tyre mbeti e ftohtë.
Alonso e nxori nga loja Viniciusin kur Real Madrid ishte në epërsi 2-1 gjatë “El Clasicos”, dhe Viniciusi, i zemëruar, u largua nga fusha duke thënë: “Gjithmonë unë, më mirë të largohem [nga klubi].”
Ky incident konsiderohet si pika kthese për keq në periudhën e Alonsos, kur marrëdhëniet me dhomën e zhveshjes filluan të përkeqësohen.
Duke folur para përballjes së “Los Blancos” me Bayern Munichun, Vinicius konfirmoi marrëdhënien e tensionuar.
“Kam luajtur ndeshje, por jo shumë minuta. Çdo trajner ka metodat e veta dhe nuk u lidha me të në mënyrën që ai donte. Por ishte një eksperiencë mësimi dhe shpresoj të vazhdoj të luaj nën drejtimin e Alvaro Arbeloa, pasi kam një lidhje shumë të mirë me të dhe ai gjithmonë më ka dhënë besim”, tha ai.
Sa i përket zëvendësimit dramatik, Viniciusi pranoi se kishte gabuar. Vlen të theksohet se gjatë kërkim-faljes publike, ai nuk e përmendi emrin e Alonsos.
“Nuk ishte një moment i mirë dhe i kërkova falje të gjithëve. Më pëlqen të luaj çdo ndeshje dhe nuk kisha dalë në asnjërën prej tyre. Më pas, me kokë të qetë, e kupton që ke bërë gabim. Jam i ri dhe çdo ditë është një eksperiencë e re ku mund të përmirësohesh”, shtoi ai.
Më herët në konferencë për shtyp, Viniciusi konfirmoi se synon të rinovojë kontratën me Real Madridin, diçka ku besohet se ka ndikuar edhe trajneri Arbeloa. Ai theksoi lidhjen e veçantë me të.
“Kam pasur një lidhje të veçantë me Arbeloan, ashtu siç kam pasur me Carlo Ancelottin. Ai gjithmonë ma ka bërë të qartë çfarë kërkon nga unë. Unë gjithmonë kam dhënë maksimumin dhe do të vazhdoj ta bëj. Nuk besoj se kam kaluar ndonjëherë kaq gjatë pa shënuar gol. Kam mësuar nga kjo periudhë e vështirë dhe dua të vazhdoj të mësoj. Lojtarët më të mirë gjithmonë rikthehen”, u shpreh braziliani.
Pas humbjes të së shtunës, rezultat që e lë Real Madridin shtatë pikë pas Barcelona në garën për titull, Arbeloa mori përgjegjësinë për disfatën, duke thënë se nuk arriti ta motivojë ekipin të ishte 200% i fokusuar. Vinicius u pyet pse skuadra kishte vështirësi në përqendrim.
“Ka ditë të mira dhe ditë të këqija; disa ditë jemi më shumë ose më pak të fokusuar, dhe kjo ndodhi në Mallorca. Vinim pas pushimit dhe, siç tha trajneri, nëse nuk je 200%, nuk fiton ndeshje”, shtoi ai.
“Nuk ishim aq të lidhur sa kishim shpresuar; sapo ishim kthyer nga ndeshjet me kombëtaret. Duhet të jemi në 200 për qind, siç tha trajneri”, bëri me dije Viniciusi.
Viniciusi po vjen pas një gjysmësezoni të parë të vështirë, por ka rikthyer formën nën drejtimin e Arbeloas.
Në 10 ndeshjet e fundit, ai ka 10 kontribute në gola, përfshirë dygolësha vendimtarë kundër Atletico Madridit dhe Manchester Cityt./GazetaExpress/