Portieri i Bosnje e Hercegovinës, Nikola Vasilj, është rikthyer te episodi i tensionuar me Gianluigi Donnarumman gjatë serisë së penalltive në ndeshjen ndaj Italisë, që ia dha kualifikimin në Botëror përfaqësueses së tij.
Gardiani boshnjak, duke folur pas ndeshjes së fundit me klubin e tij, tregoi detaje nga përplasja me portierin italian, një moment që ka bërë shumë bujë.
“Donnarumma u përpoq të më shqyente fletën ku i kisha shënuar informacionet për gjuajtësit e penalltive të Italisë, por për fat të mirë stafi ynë e kishte një kopje tjetër. Ishim përgatitur për çdo situatë”, u shpreh Vasilj.
Ai shtoi se mbeti i habitur nga ajo që ndodhi në fushë, përcjell “Gazeta Express”.
“Sinqerisht, nuk mund ta besoja atë që po ndodhte. Është hera e parë që më ndodh një gjë e tillë. Filluam të debatonim dhe më pas shkova te referi për t’i kërkuar që ta ndëshkonte, sepse më dukej një sjellje antisportive.”
Megjithatë, në fund gjithçka u mbyll me fitoren e Bosnjës:
“Nuk dua të them shumë… por në fund fituam ne dhe disa thonë se ishte karma. Ndoshta ka diçka të tillë në këtë histori”, përfundoi portieri boshnjak.
Episodi lidhet me momentet e tensionuara gjatë penalltive, ku të dy portierët u përfshinë në një debat për “fletëzat” me shënime mbi gjuajtësit kundërshtarë, një praktikë e zakonshme në situata të tilla. /Gazeta Express