Pjesëmarrja e grave në ekonomi në Kosovë po vazhdon të shënojë rritje, duke reflektuar një rol gjithnjë e më të rëndësishëm të tyre në tregun e punës.
Sipas të dhënave të Administrata Tatimore e Kosovës për muajin tetor 2025, gjithsej 162,062 gra janë të punësuara, duke përbërë 39.5% të fuqisë punëtore aktive në vend. Përfaqësimi i tyre është më i theksuar në sektorët e arsimit, shëndetësisë dhe shërbimeve.
Në të njëjtën kohë, 19,331 biznese individuale udhëhiqen nga gra, çka tregon rritjen e rolit të tyre edhe në sipërmarrje. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë realizuar 289,885 shërbime tatimore digjitale nga gratë, duke dëshmuar përfshirjen e tyre në përdorimin e teknologjisë dhe formalizimin e aktiviteteve ekonomike.
Administrata Tatimore e Kosovës mbetet e angazhuar për të mbështetur fuqizimin ekonomik të grave dhe për të rritur pjesëmarrjen e tyre në ekonominë formale në vend.