DW: Do të marrë fund lufta me Iranin brenda dy ose tre javësh? - Gazeta Express
string(60) "dw-do-te-marre-fund-lufta-me-iranin-brenda-dy-ose-tre-javesh"

Lajme

Gazeta Express

02/04/2026 9:39

DW: Do të marrë fund lufta me Iranin brenda dy ose tre javësh?

Lajme

Gazeta Express

02/04/2026 9:39

Presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh sërish optimist për rrjedhën e zhvillimeve në luftën me Iranin. Ai deklaroi se ishin shumë pranë arritjes së objektivave më të rëndësishme strategjike.

Ishte fjalimi i parë i këtij lloji i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që nga fillimi i luftës kundër Iranit e tingëlloi si një “Best Of” i argumenteve të njohura dhe të përsëritura shpesh. Fjalimi nuk përmbante asnjë lajm të ri, as përplasjet e fundit të Trumpit me shtetet e NATO-s. Një sondazh i ri i CNN‑it tregon se vetëm një e treta e të anketuarve e mbështet konfliktin. Po ashtu, vetëm një e treta është e mendimit se presidenti ka vërtet një plan për luftën.

Trump optimist

Nuk u bë e qartë për amerikanët, nëse Trump dëshiron ta përshkallëzojë apo ta ulë intensitetin e luftës. Presidenti deklaroi se ishin shumë pranë arritjes së objektivave më të rëndësishme strategjike. Së shpejti – përkatësisht brenda dy deri në tre javë – lufta do të mund të përfundonte. Deri atëherë, Irani do të goditej “tejet ashpër”.

“Iranianët ishin në ethe për të ndërtuar një bombë atomike, një armë bërthamore siç nuk e kishte parë askush më parë,” tha Trump. Sipas Trump, ata kishin qenë pothuajse pranë realizimit të saj. “Për vite me radhë, të gjithë kanë thënë se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore. Por në fund të fundit, këto janë vetëm fjalë, nëse nuk je i gatshëm të veprosh kur vjen momenti vendimtar,” vijoi Trump.

Dhe jo vetëm kjo, edhe në fushën e armatimit konvencional Irani po bëhej jashtëzakonisht i rrezikshëm, vazhdoi Trump: “Përveç kësaj, ata ndërtuan me shpejtësi një arsenal gjigant raketash balistike konvencionale dhe së shpejti do të kishin pasur raketa që do të mund të arrinin territorin kontinental të SHBA‑së, Europën dhe praktikisht çdo vend tjetër në Tokë.”

Të dyja këto vlerësime – se Irani kishte qenë pranë ndërtimit të një bombe atomike dhe se do të kishte qenë në gjendje të prodhonte raketa që mund të godisnin SHBA‑në – aktualisht nuk ndahen nga shërbimet sekrete amerikane.

Trump ngre lart ushtrinë amerikane

Presidenti e lavdëroi disa herë përparimin e ushtrisë amerikane në përmbushjen e misionit. Sipas Trumpit, po dobësohet në mënyrë sistematike aftësia e regjimit iranian për të kërcënuar SHBA‑në ose për të ushtruar ndikim përtej kufijve të tij. Marina iraniane tashmë ishte shkatërruar plotësisht. Edhe forcave ajrore dhe programit raketor të vendit u ishte shkaktuar dëm në një përmasë të paprecedentë dhe baza industriale e sektorit të mbrojtjes do duhej të shkatërrohej. “Të gjitha këto i kemi arritur”, deklaroi presidenti amerikan.

Trump u bëri gjithashtu thirrje vendeve të tjera që të ndërmarrin hapa për hapjen e Ngushticës së Hormuzit – veçanërisht atyre që, ndryshe nga SHBA‑ja, furnizohen me energji nga rajoni. Sipas Trumpit, këto vende duhet të kujdesen për kalimin atje.

“Ata duhet ta sigurojnë atë dhe ta vlerësojnë,” tha Trump. “Këtë mund ta bëjnë lehtësisht. Ne do t’i ndihmojmë, por ata duhet të marrin drejtimin kur bëhet fjalë për mbrojtjen e naftës nga e cila varen kaq shumë.”

Marrë nga Carsten Kühntopp/ ARD Uashington /DW

Advertisement
Advertisement
Advertisement