Një artikull i publikuar fillimisht nga mediumi serb Novosti dhe më pas i riprodhuar nga Pravda dhe kanale të ndryshme në Telegram, është shembull tipit se si funksionon ekosistemi i dezinformimit që kombinon gjysmë të vërteta, interpretime tendencioze dhe narrativë politike kundër Kosovës, shkruan Sbunker.
Artikulli i publikuar dhe i amplifikuar përmes kanaleve në Telegram, përdor një gjuhë kundër Kosovës, duke e portretizuar atë si një aktor të papërgjegjshëm që po dërgon trupa drejt një terreni të panjohur. Këto raportime u bënë pasi qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 30 mars miratoi vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes për të kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, marrjen e Vendimit për Dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës Jashtë Vendit, përkatësisht si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza. Vendimi i qeverisë për për të çuar përpara paqen dhe rindërtimin në Gaza, u mirëprit edhe nga Bordi i Paqes.
Përpjekja për ta paraqitur Kosovën “kuzi-shtet”
Në thelb të narrativës manipuluese qëndron përpjekja për ta paraqitur Kosovën si një “kuazi-shtet”, një term që nuk reflekton realitetin ndërkombëtar. Kosova është njohur nga 120 shtete dhe është pjesë e institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Megjithatë, për mediat si Pravda, delegjitimimi i shtetësisë së Kosovës mbetet një objektiv konstant, në përputhje me narrativat më të gjera pro-Kremlinit.
Një tjetër shtrembërim i dukshëm është përdorimi i Rezolutës 1244 të OKB-së si argument për të kundërshtuar çdo angazhim ndërkombëtar të Kosovës. Ky interpretim injoron zhvillimet kryesore që nga viti 2008, përfshirë opinionin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Pra, referimi i vazhdueshëm në këtë rezolutë nuk paraqet analizë juridike por instrumentalizim të qëllimshëm politik.
Në mënyrë po aq problematike, artikulli përpiqet të krijojë konfuzion rreth një të ashtuquajture “Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi”, duke sugjeruar se Kosova po angazhohet në një mision të paqartë dhe të paorganizuar.
Kosova është përfshirë më herët në misione ndërkombëtare
Në realitet, çdo përfshirje e Kosovës në operacione ndërkombëtare është bërë në koordinim të ngushtë me partnerët strategjikë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për më tepër, FSK tashmë ka një histori të dëshmuar të angazhimeve ndërkombëtare, përfshirë dislokimin në Kuvajt në bashkëpunim me ushtrinë amerikane—një fakt që artikulli e injoron plotësisht.
Kulmi i manipulimit arrihet në versionet e shpërndara në Telegram, ku FSK etiketohet si “terroriste”, njësoj si në titullin e artikullit të Novost-it. Kjo nuk është vetëm dezinformatë, por edhe përpjekje për demonizim të drejtpërdrejtë të një institucioni që është ndërtuar dhe trajnuar sipas standardeve të NATO-s dhe që kontribuon në stabilitetin rajonal.
Në këtë mënyrë, narrativa e mediumeve pro-serbe dhe pro-ruse ndjek një model të njohur: çdo afrim i Kosovës me Perëndimin paraqitet si kërcënim, çdo angazhim ndërkombëtar si aventurë dhe çdo zhvillim institucional si jolegjtim. Qëllimi nuk është informimi i publikut, por ndërtimi i një realiteti alternativ ku Kosova shihet si faktor destabilizues.
Në fakt, e kundërta është më afër së vërtetës. Përpjekjet e Kosovës për t’u përfshirë në iniciativa ndërkombëtare të paqes dhe sigurisë janë pjesë e një strategjie për t’u pozicionuar si kontribuuese jo vetëm konsumuese ne sigurisë, rol ky që shumë vende të vogla e kanë ndjekur për të forcuar partneritetet dhe besueshmërinë ndërkombëtare.
Ndërveprimi mes kanaleve pro-ruse e pro-serbe
Ky zinxhir—nga Novosti te Pravda e deri te Telegrami—nuk është i ri. Ai pasqyron një model të njohur të bashkëveprimit mes mediave pro-qeveritare në Serbi dhe platformave ndërkombëtare pro-Kremlinit, ku temat që lidhen me Kosovën shpesh përdoren për të ndërtuar narrativa destabilizuese dhe për të minuar perceptimin ndërkombëtar për shtetësinë dhe rolin e saj.
Prandaj, ky rast është një ilustrim i qartë se si funksionon propaganda ruse e serbe. Duke përzier fakte të pjesshme me interpretime të qëllimshme, duke përdorur gjuhë emocionale dhe duke injoruar kontekstin, ajo tenton të krijojë një narrativë që çmontohet sapo të përballet me faktet.
Kjo narrativë nisi pasi Kosova morri pjesë në në takimin e parë të Komitetit/Bordit të Paqes në Washington, iniciativë kjo e prezantuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. Pjesëmarrja e presidentes Vjosa Osmani u pasua nga një valë raportimesh ironizuese dhe sulmuese nga disa media në Serbi, të cilat më pas u amplifikuan edhe në kanale të Telegramit në gjuhën serbe dhe ruse.
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...