Skënder Hita ka marrë zyrtarisht drejtimin e Policisë së Shqipërisë. Pas betimit zyrtar, ai premtoi rritje të besimit të qytetarëve dhe luftë të pakompromis ndaj krimit dhe korrupsionit. Ndërkohë, priten ndryshime të afërta në strukturat drejtuese, duke nisur nga Tirana.
“Kryepolici i shtatë i epokës “Rama”, Skënder Hita ka marrë zyrtarisht detyrën. Në një ceremoni zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Hita u betua si drejtor i përgjithshëm.”
Pas betimit zyrtar në krye të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, mbajti fjalimin e tij të parë si kryepolici i ri i vendit. Hita tha se sfida kryesore për të do të jetë rritja e besimit të qytetarëve te policia dhe thellimi i rezultateve, duke deklaruar një luftë të pa kompromis ndaj krimit dhe korrupsionit.
Ndërsa ministri i Brendshëm Besfort Lamallari kërkoi drejtuesit të ri, thellimin e luftës kundër paligjshmërisë dhe të garantojë që Policia të mbetet gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe jo mbi ta.
Me marrjen e detyrës, Hita pritet që së shpejti të bëjë edhe ndryshimet e para në strukturat drejtuese, duke nisur nga qarku i Tiranës, por edhe në qarqet e tjera, ku priten të emërohen drejtues emra të rinj.