Aleatët e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rajonin e Gjirit Persik, të udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, po i bëjnë thirrje presidentit Donald Trump që të vazhdojë operacionet ushtarake kundër Iran, duke argumentuar se Teherani nuk është dobësuar mjaftueshëm pas 30 ditësh bombardimesh.
Sipas burimeve nga SHBA, vendet e Gjirit dhe Izraeli, të cituara nga Associated Press, disa prej aleatëve rajonalë e konsiderojnë momentin aktual si një mundësi historike për të goditur në mënyrë vendimtare strukturën e pushtetit në Iran.
Pas ankesave në fillim të konfliktit për mungesë paralajmërimi nga Uashingtoni dhe shqetësimeve për pasojat destabilizuese në rajon, vendet e Gjirit tani po shtyjnë për një vijim të ofensivës deri në arritjen e ndryshimeve të rëndësishme në udhëheqjen iraniane ose në sjelljen e saj.
Zyrtarë nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Bahreini kanë shprehur në biseda private se nuk mbështesin përfundimin e operacionit ushtarak pa rezultate të prekshme strategjike.
Sipas raportimit, Emiratet e Bashkuara Arabe janë ndër zërat më agresivë, duke ushtruar presion për një ndërhyrje tokësore, ndërsa raketat iraniane vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin dhe imazhin e rajonit si një qendër e sigurt ekonomike dhe turistike. Edhe Kuvajti dhe Bahreini mbështesin këtë qasje.
Në të kundërt, Omani dhe Katari, të njohura për rolin e tyre ndërmjetësues mes Iranit dhe Perëndimit, vijojnë të favorizojnë një zgjidhje diplomatike.
Burimet theksojnë gjithashtu se Arabia Saudite i ka bërë të qartë Uashingtonit se një përfundim i parakohshëm i luftës nuk do të sillte një marrëveshje të favorshme për sigurinë e vendeve arabe në rajon.