Një anije cisternë nafte nga Kuvajti ishte cak i një sulmi iranian ndërsa ishte e ankoruar në portin e Dubait në Emiratet e Bashkuara Arabe, njoftoi mbrëmë agjencia shtetërore e lajmeve të Kuvajtit, duke cituar Korporatën e Naftës së Kuvajtit, shkruan New York Times.
Autoritetet e Dubait reaguan ndaj një incidenti në të cilin një dron goditi një tanker, pas të cilit shpërtheu një zjarr në ujërat e Emirateve të Bashkuara Arabe, tha zyra e shtypit e qeverisë së Dubait. Asnjë nga 24 anëtarët e ekuipazhit nuk u lëndua dhe ata janë të sigurt, u tha në njoftim. Ekipet e zjarrfikësve detarë shuan zjarrin, të cilin më vonë arritën ta vinin nën kontroll.
Korporata e naftës së Kuvajtit tha se tankeri Al-Salmi ishte i ngarkuar plotësisht në kohën e sulmit dhe u godit nga forcat iraniane.
Tanker Trackers, një kompani që gjurmon cisternat, tha se anija mbante rreth dy milionë fuçi naftë bruto, rreth 1.2 milionë nga Arabia Saudite dhe rreth 800,000 nga Kuvajti. Cisterna përfundoi ngarkimin rreth një muaj më parë.
Al-Salmi është një anije cisternë gjigante me gjatësi gati 335 metra, e cila u ndërtua në vitin 2011 nga kompania jugkoreane Daewoo Shipbuilding and Marine Engineering.
Irani ende nuk e ka njoftuar sulmin. Ndërkohë, ushtria kuvajtiane tha se po përballej me sulme armike me raketa dhe dronë