Shfaqja / Kur me vetëdëshirë ec në prush - Gazeta Express
string(38) "shfaqja-kur-me-vetedeshire-ec-ne-prush"

Arte

Valona Hasani

29/03/2026 18:30

Shfaqja / Kur me vetëdëshirë ec në prush

Arte

Valona Hasani

29/03/2026 18:30

Në mbrëmjen e 27 marsit, njëherazi në Ditën Botërore të Teatrit, Teatri i Kosovës dha premierën e shfaqjes “Biedermani dhe Zjarrvënësit”, të cilën publiku i gjerë dhe entuziast e mirëpriti në sallën e Amfiteatrit.

Autore: Valona Hasani

“Biedermani dhe Zjarrvënësit” është një dramë tejet e njohur e autorit Max Frisch, e shkruar në vitin 1958, e realizuar me virtuozitet nga regjia e Agon Myftarit dhe me një interpretim realist nga aktorët e TKK-së.

Vetëmashtrim për të qenë i lumtur

Drama “Biedermani dhe Zjarrvënësit” trajton tema delikate dhe psikologjike që lidhen me moralin dhe përgjegjësinë njerëzore. Këto tema injorohen edhe në diskutimet e përditshme dhe lihen pezull, shpesh nga pamundësia për të artikuluar një përgjigje adekuate dhe të qëndrueshme, herë të tjera për shkak që thjesht nuk janë interesante në diskursin publik.

Indiferenca ndaj së keqes dhe rrezikut, egoizmi dhe vetë-mashtrimi përbëjnë konfliktin e brendshëm njerëzor, një luftë e rëndë mes emocionesh të turbullta dhe përgjegjësisë, ku ikja prej saj rezulton me një mbyllje hermetike në vetëdijen njerëzore. Padyshim, kjo është një garë e rrezikshme që nuk ka të bëjë me medaljen, por me mbijetesën e formave ekstreme. Shpërfillet jo sepse është një mur i patejkalueshëm, e assesi sepse është temë tabu, por sepse veprohet njësoj sikur në dy orët e performancës për arsye imazhi, rehatie dhe shpesh edhe hipokrizie.

Foto: Kushtrim Haxha

Bashkëfajtor i krimit në shtëpinë e vet

Shfaqja fillon me personazhin kryesor, tashmë të njohur si Biedermani, një borgjez naiv. Ai shfaqet i ulur në një kolltuk aristokrat, vendosur mes skenës së errët të improvizuar. Në njërin skaj qëndronin aktorë të tjerë që përbënin orkestrën me instrumentet e tyre dhe përfaqësonin denjësisht profesionin e zjarrfikësve. Në anën tjetër qëndronte shërbëtorja, një personazh vëzhgues dhe pasiv, një element kontrast mes të gjithë ngjarjes.

Drama vazhdon me hyrjen e një personi tjetër në skenë, që prezantohet sikur është një i pastrehë dhe kërkon ndihmë, por në realitet është një prej zjarrvënësve. Biedermani, edhe pse ka mjaftueshëm indikacione se personi përballë nuk është ai që pretendon, e shtyn intuitën larg nga vetëdija, një alter ego i padukshëm që e komandon protagonistin të shpërfillë rrezikun. Ikja e përgjegjësisë njerëzore është më e lehtë se ballafaqimi me të.

Dukej sikur tastet e peshores mbanin besimin e fakteve, dhe injorimi i tyre u hodh në piedestal si një fenomen i zakonshëm që duhet të mbrohet dhe ruhet.

Naivitet dhe kënaqësi egoiste

Biedermani dhe sjellja e tij naive tregohen në çdo moment të ngjarjes. Ai përmbledh karakteristikat e një egoizmi të fshehur dhe të një njeriu të nënshtruar ndaj rrezikut. Këtë e konsideron sjellje të mirë, por jo domosdoshmërisht kjo përceptohet një e mirë për tëtjerët, ai nuk është të tjerët dhe të tjerët nuk janë ai përta përcaktuar sjelljen e tij në të njejtin version

Dialogu mes Biedermanit dhe zjarrvënësit të parë tregon qartë një njeri që i hedh hi syve realitetit dhe të drejtës. Ai shndërrohet në shurdh-memec ndaj paralajmërimeve të orkestrës dhe memec ndaj vetës që e ndalon të kundërshtojë të padrejtën dhe rrezikun. Njëjtë vepron edhe kur hyn zjarrvënësi i dytë, duke e trajtuar si një mysafir të ngushtë të shtëpisë.

Qëllimi i zjarrvënësve nuk ka ku të shkojë përtej emrit të tyre. Atmosfera tensionohet, paralajmërimet rriten, por Biedermani dhe gruaja e tij qëndrojnë indiferentë, duke shmangur vizualisht tavolinën e bukës, e ndërtuar nga dy bidonat me benzinë që zjarrvënësit i kishin sjellë. Asnjë përshtypje, asnjë reagim, asnjë fjalë, gjithçka duket në rregull. 

Foto: Kushtrim Haxha

Të gjithë në rolin e zjarrvënësit

Skena u mbush me benzinë, natyrisht jo vetëm nga dy të dyshuarit, por edhe nga vetë Biedermani dhe gruaja e tij, bashkëfajtorë të krimit. Gotat mbusheshin me lëng benzine që shpërndahej në sipërfaqen e shtëpisë, duke e bërë më të lehtë zjarrvënien në fund të shfaqjes tragjike. Kjo simbolizon sesi indiferenca dhe heshtja bëjnë bashkëfajtor edhe ata që nuk janë të dhunshëm drejtpërdrejt. Çdo veprim i lehtë, çdo justifikim apo shmangie bëhet pjesë e zjarrit që përhapet. Në fund, pyetja që duhet të bëjë secili prej nesh është: a jemi me të vërtetë kaq indiferentë ndaj të keqes?

Për shërbëtoren një vend te publiku

Roli i shërbëtores ngjason me rolin e audiencës,vëzhgimi. Ndryshe ishte vetëm vendi ku ndodhej personazhi dhe vendi ku qëndronte audienca, por kjo tregon më së miri se shpesh jemi vëzhgues ndaj të keqes, por jo kundërshtues. Shërbëtorja nuk mund të arsyetohej me nuk kishte çfarë të bënte më shumë bazuar në pozicionin e saj në atë shtëpi, kur diçka përben në rrezik, askush s’pyet për profesionin, pozitën por sa ishte i njerëzishëm në një situatë të tillë.

Çka nuk shkoi me shfaqjen?

Orkestra dhe zëri i aktorëve nuk ishin në të njëjtin sinkron, dialogu nuk mund të dëgjohej, pavarësisht tentativave për t’u kuptuar përmes leximit të buzëve. Ndoshta kjo nuk duhej të konsiderohej neglizhencë, sikurse tematika e shfaqjes.

Megjithatë, pavarësisht këtyre mangësive teknike, shfaqja godet thellë publikun me mesazhin e saj çdo heshtje dhe indiferencë ndaj të keqes e bën njeriun bashkëfajtor. Në fund, “Biedermani dhe Zjarrvënësit” nuk është vetëm një dramë për skenë, por një reflektim mbi përgjegjësinë morale që secili prej nesh duhet ta pranojë në jetën reale. Ajo çfarë na dallon prej kafshëve është vetëdija, por nëse vendosim ta injorojmë atëherë edhe ne jemi kafshë.

Autor: Max Frisch

Regjisor: Agon Myftari

Aktorë: Kushtrim Qerimi, Arta Selimi, Shkëlzen Veseli, Semira Latifi, Albina Krasniqi, Edlir Gashi, Ylber Bardhi, Lum Veseli, Donika Rushiti, Lis Maliqi, Erdonis Gashi

Kompozitor: Memli Kelmendi

Dramaturge: Zoga Çeta Çitaku

Skenografe: Nicola Minssen

Kostumografe: Samka Ferri

Asistente e Regjisë: Diellza Dedushi

Ispiciente: Nazmije Krasniqi

Ndriçimi dhe toni: Bujar Bekteshi, Arben Aliu

Advertisement
Advertisement
Advertisement