Komisioni për Buxhet miraton disa marrëveshje ndërkombëtare - Gazeta Express
string(59) "komisioni-per-buxhet-miraton-disa-marreveshje-nderkombetare"

Lajme

Gazeta Express

27/03/2026 15:34

Komisioni për Buxhet miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Lajme

Gazeta Express

27/03/2026 15:34

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet janë miratuar të gjitha pikat e rendit të ditës, përfshirë edhe shyqrtimin e projektligjit nr.10/L-013 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë “projekti i rrugës me shpejtësi të lartë Prishtinë-Mitrovicë” (kredi shtesë) ndërmjet Fondit Saudit për Zhvillim dhe Republikës së Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Financave, Hekuran Murati prezantoi projektin, duke thënë se qëllimi i këtij projekti është që të lidhë kryeqytetin me qytetin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës.

“Qëllimi i këtij projekti është të lidhë, pra, kryeqytetin me qytetin e Vushtrrisë dhe Mitrovicës deri në Smrekonicë, pjesa e segmentit është përfunduar. Ndërkaq, pjesa e mbetur parashihet që të përfundohet apo të përshpejtohet përmes këtij financimi. Punët që do të financohen janë sipas seksionit Smrekonicë-Mitrovicë, që ka një gjatësi prej 5 kilometrash, ku ndërtimi i dy korsive shtesë, dy korsive të emergjencës, si dhe ndërtimi i katër urave janë të paraparë për t’u ndërtuar përgjatë këtij segmenti. Vlera totale e financimit është në shifrën prej 53 milionë rialë sauditë, apo e konvertuar rreth 13 milionë euro. Ndërkaq, pjesa tjetër prej 3.7 milionë euro parashihet të jetë si bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovës“, tha ai.

Ndërsa është miratuar edhe pika për marrëveshjen e kredisë mes Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK-Porta Globale.

Edhe për këtë pikë foli ministri Murati.

“Më saktësisht, është shtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese të ripërtërishme, pra të energjisë së ripërtërishme, konkretisht 100 megavat kapacitet shtesë fotovoltaik apo energji solare që po ndërtohet për energji elektrike, e cila pra parashihet që të gjenerojë rreth 152 gigavat-orë kapacitet prodhues në vit. Si dhe pra në investim parashihet edhe infrastruktura përkatëse duke përfshirë rrugët hyrëse, kabllot në terren, transformator, pra për linjën, si dhe linjë kabllore nëntokësore në nënstacionin ekzistues në termocentralin Kosova A. Kjo kredi nga Banka Evropiane për Investime ka vlerën prej 33 milionë eurosh dhe bëhet pra në kuadër… është njëra nga komponentët e financimit në kuadër të projektit i cili në tërësi parashihet të ketë vlerën prej 104 milionë eurove. Për këtë projekt, pra është edhe një marrëveshje tjetër e financimit me KfË-në, me vlerë prej 29 milionë euro, si dhe Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, grantin në vlerë prej 32 milionë eurove. Pra, meqenëse jemi nën presionin kohor edhe për vazhdimin e projektit dhe është tejet e nevojshme, e konsideroj që është pra… nëse e shihni të arsyeshme të miratohet kjo marrëveshje, sepse edhe kushtet financiare pra janë kushte koncesionare, të ngjashme sikurse që i kemi me marrëveshje tjera për financimin e këtyre projekteve“, tha Murati.

E, ai që kishte kritika për Qeverinë ishte deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Lushtaku pyeti Muratin edhe për kredinë me BERZH-in.

 “Dhe realisht këto vite sa jeni në qeveri, fatkeqësisht… kemi pasur një projekt që kish me ndihmuardhe kish me… liruar energjinë për qytetarët tonë. Po flas për një projekt të madh siç është edhe projekti i çështjes së termocentralit që fatkeqësisht, siç e dini më herët, është penguar ky projekt. Por gjithsesi nuk duam të kthehemi te ajo pjesë, sepse tash më e rëndësishme janë investimet për projektet. Përgjegjësia i takon atyre që e kanë penguar në atë kohë dhe tash po i shohim pasojat me rritje të energjisë. Sigurisht, më kujtohet ka qenë një buxhet planifikimi i tërësishëm. Pse e keni ndryshuar? Ndoshta këtu nuk po më kujtohet konkretisht, por e di që keni planifikuar në buxhet në tërësi për të mbuluar të gjitha shpenzimet e këtij projekti me u realizuar në tërësi. Por ju keni vendosur që të keni edhe një marrëveshje ndërkombëtare me BERZH-in. Pse keni vendosur kështu? Pasi nëse ka pasur buxhet të mjaftueshëm, pse patjetër me shku edhe në kredi te BERZH-i? Sigurisht është ajo ideja juaj, po unë besoj që kish me qenë më mirë me buxhetin tonë, meqë ka pasur hapësirë“, tha Lushtaku.

Ministri Murati, duke iu përgjigjur pyetjes së deputeti Lushtaku, tha se mbi 30% e projektit realisht janë grant, të cilat s’ka nevojë të kthehen, gjë që e bën të favorshme ekonomikisht.

 “Nuk ka qenë e paraparë me buxhet masi nuk ka hyrje buxhetore meqenëse projekti që nga fillimi ka qenë i paraparë të zbatohet nga KRU-ja (Kompania Rajonale e Ujësjellësit). Pra, meqenëse është ndërmarrje publike jashtë-buxhetore. Por gjithsesi arsyeja pse ka qenë e favorshme të shkohet në këtë rrugë është edhe pjesa e grantit që po e marrim. Pra diku 22 milionë euro janë grant. Meqenëse shkojmë me financim përmes Bankës Zhvillimore Gjermane (KfË) dhe me financim nga Banka Evropiane për Investim (BEI), është kualifikuar projekti edhe për përfitimin e grantit me vlerë prej 22 milionë euro. Pra, mbi 30% e projektit realisht janë grant, të cilat s’ka nevojë të kthehen, e gjë që e bën të favorshme ekonomikisht. Pra ka qenë kjo mënyrë e përzgjedhjes“, sqaroi Murati.

Ndërkaq, është mirtuar edhe shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-011 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale, shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-014 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Impianti për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Podujeve” dhe shqyrtimi i Projektligjit nr.10/L-012 për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për projektin e Efiçencës së Energjisë në ndërtesa publike./EO/

Advertisement
Advertisement
Advertisement