Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ndaj qëndrimit të Avokatit të Popullit lidhur me organizimin e provimit të jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit. Ky qëndrim është skandaloz, juridikisht i pabazuar dhe i papranueshëm, sepse cenon një të drejtë që është e garantuar me ligj dhe me Kushtetutë.
Është e papranueshme që e drejta për të përdorur gjuhën shqipe në provime shtetërore të paraqitet si e drejtë që realizohet vetëm me kërkesë të kandidatit. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk është privilegj dhe as favor administrativ, por është e drejtë e garantuar me ligj dhe Kushtetutë, dhe institucionet kanë obligim që ta zbatojnë atë me detyrë zyrtare (ex officio) pa e ngarkuar qytetarin me procedura dhe kërkesa shtesë.
Po ashtu, tentimi që kjo çështje të arsyetohet me nevojën për harmonizim të ligjeve të tjera është i pabazë, sepse Ligji për Përdorimin e Gjuhëve i rregullon qartë këto çështje dhe obligon institucionet për zbatim të drejtpërdrejtë. Problemi nuk qëndron te ligjet, por te mungesa e vullnetit për zbatimin e tyre në praktikë.
Propozime dhe interpretime të tilla i ngjajnë logjikës së reduktimit të të drejtave kolektive që ka ndodhur në të kaluarën, kur në vitin 1989 u suprimuan zgjidhje kushtetuese që buronin nga Kushtetuta e vitit 1974, fillimisht në Maqedoni duke u hequr shqiptarëve elementi shtetformues, e më pas po në vitin 1989 edhe në Kosovë duke u suprimuar autonomia kushtetuese e vitit 1974. Edhe sistemi i atëherëshëm ka pasur shërbëtorë shqiptarë, por veprimet e atëhershme rezultuan me pasoja tragjike. Të drejtat e fituara nuk reduktohen me interpretime administrative dhe as nuk kthehen mbrapa me arsyetime tendencioze.
Qëndrime të tilla krijojnë konfuzion juridik, pasiguri tek kandidatët dhe përbëjnë hap prapa në standardin e të drejtave gjuhësore. Institucionet dhe bartësit e funksioneve publike duhet të mbrojnë të drejtat e qytetarëve dhe jo t’i relativizojnë ato me interpretime të gabuara.
Bashkimi Demokratik për Integrim do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri të drejtat gjuhësore, barazinë e qytetarëve dhe zbatimin e plotë të ligjeve në vend.
tag_katrorimaqedoni_2