Nis seanca për vrasjen e Liridona Ademajt, jep mbrojtjen i akuzuari Kushtrim Kokalla - Gazeta Express
string(83) "nis-seanca-per-vrasjen-e-liridona-ademajt-jep-mbrojtjen-i-akuzuari-kushtrim-kokalla"

Lajme

Gazeta Express

27/03/2026 9:53

Nis seanca për vrasjen e Liridona Ademajt, jep mbrojtjen i akuzuari Kushtrim Kokalla

Lajme

Gazeta Express

27/03/2026 9:53

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë, paraqitjen e mbrojtjes së tij do ta japë i akuzuari i tretë për vrasjen e Liridona Ademajt, Kushtrim Kokalla

Sipas aktakuzës, Kokalla ngarkohet se në bashkëkryerje me të pandehurit Naim Murseli dhe Granit Plava ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, pasi që Naim Murseli, ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e Liridona Ademajt dhe ai ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin. Të tre akuzohen se janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim në shumë prej 30 mijë euro. Dyshimet janë se Murseli me datë 29 nëntor 2023 ka siguruar armën e zjarrit, të cilën ia ka dhënë Plavës, e që armën e ka përdorur për vrasjen e të ndjerës Liridona Ademajt.

Gjithashtu, i akuzuari Kushtrim Kokalla ngarkohet edhe për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Në deklaratën e dhënë në polici më 1 dhjetor 2023, i pandehuri Kokalla kishte deklaruar se nga viti 2019 është pjesëtar i FSK-së. Ai ka thënë se Naim Murselin e ka djalë të dajës dhe të hallës, ndërsa Granit Plavën e ka bashkëfshatar dhe se njihen qysh kur kanë qenë të vegjël.

Kokalla kishte deklaruar se një javë para ngjarjes kishte qenë te Murseli në shtëpi dhe më pas ishin takuar me Granit Plavën. Atë natë, tha se i kishte shkruar Murseli dhe ia kishte kërkuar numrin e Plavës dhe se pas 2-3 ditësh ishin takuar, ku Murseli ia kishte dhënë Kokallës 300 euro për këstin e kredisë për të cilën thotë se ka hyrë për Murselin, ndërsa Plavës ia kishte dhënë 500 euro. Për këto të fundit, ka thënë se nuk kishte ide pse iu dhanë atij.

Sipas aktakuzës, Kokalla më 29 nëntor 2023 kishte biseduar me të akuzuarin Murseli dhe sipas tij në atë bisedë Murseli i ka kërkuar të takohen dhe u takuan rreth orës 9:30, ku i kishte thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, që sipas Kokallës kishte të bënte me vrasjen e Liridonës. Ai tha se rreth një vit i akuzuari Murseli e kishte lutur që ta kryente vrasjen.

“Naimi që afër një vit mua më ka lutur që ta kryej këtë vrasje unë. Atëherë unë i kam thënë nuk vjen në shprehje që ta bëjë këtë punë unë dhe mos më thuaj më asnjëherë”, pati deklaruar ai.

Sipas Kokallës, Murseli i kishte thënë se do ta thërrasë Granitin dhe do të takohej me të dhe se sipas tij më pas nuk ka pasur më asnjë kontakt. Vetëm në mbrëmje, kur e kishte thirrur një shok për ta pyetur nëse i kishte parë lajmet, e kishte kuptuar për vrasjen e Liridonës.

Kokalla kishte thënë se, pasi e kishte kuptuar lajmin, kishte marrë familjen dhe kishin ardhur në Prishtinë në stacion policor dhe se pas përfundimit të procedurave policore, për të mos e lënë vetëm, kishte shkuar në hotel me Murselin.

Kokalla ka deklaruar se me t’u futur në dhomën e hotelit, i akuzuari Murseli i është drejtuar me fjalët: “e kreva këtë punë”.

Kokalla pati deklaruar në polici se e ka menduar ta lajmërojë rastin, por se ka qenë i shokuar dhe i frikësuar për familjen e vet nga Murseli.

Sipas aktakuzës, Kokalla pati deklaruar se Murseli i ka ofruar para për këtë rast, por se nuk ka pranuar asnjëherë as para dhe as pas rastit.

Gjithashtu, Kokalla më 24 janar 2024 ka qenë i ftuar në Prokurori për të dhënë deklaratë, por ka shfrytëzuar të drejtën që të mbrohet në heshtje.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t’u konsultuar me mbrojtjen.

Një ditë më herët, në Gjykatë, i akuzuari Granit Plava tha se kishte marrëveshje me të akuzuarin Naim Murseli për ta marrë përgjegjësinë për këtë krim. Ai tha se Murseli i kishte premtuar veturë, pagë e punë të sigurt dhe se do të lirohej për dy vjet nga burgu. /Ekonomiaonline

Advertisement
Advertisement
Advertisement