Vendet evropiane janë përpjekur të shmangin përfshirjen e thellë në luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, e cila tashmë ka hyrë në javën e katërt.
Ato kanë shqyrtuar mundësinë për të ndihmuar në zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit, por kanë theksuar se një veprim i tillë do të bëhej vetëm pas ndonjë armëpushimi dhe – mundësisht – me mandat nga Kombet e Bashkuara.
Por, më 21 mars, kërcënimi u bë më i dukshëm, kur Irani dëshmoi se raketat e tij kanë potencial të arrijnë qytetet evropiane.
Teherani lëshoi dy raketa balistike drejt Diego Garcias – një bazë e përbashkët amerikano-britanike në Oqeanin Indian, rreth 4.000 kilometra larg territorit iranian – dhe zyrtarët në Bruksel dhe më gjerë nisën ta marrin më seriozisht situatën.
Më herët, Irani – nën sundimin e udhëheqësit të ndjerë suprem, Ajatollah Ali Khamenei – kishte mbajtur një kufi për rrezen e raketave balistike në 2.000 kilometra.
Khamenei u vra nga një sulm i SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt. Dhe, ky kufi tani duket se nuk ekziston më – gjë që ka rritur shqetësimin në Evropë.
Brukseli tashmë është i angazhuar në një luftë më të afërt: pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia, që ka hyrë në vitin e pestë. Deri më tani, blloku i ka ndarë Ukrainës mbi 70 miliardë euro ndihmë ushtarake.
“Ky është për ne një dimension i ri i luftës [me Iranin]”, thotë një zyrtar i lartë i BE-së, duke folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti.
“Le të jemi të sinqertë – mbrojtja jonë ajrore është mjaft e varfëruar tani”, sipas tij.
Shumë vende evropiane kanë kontribuar në mbrojtjen ajrore të Kievit, por gjithashtu kanë kuptuar se ka boshllëqe të konsiderueshme në mbrojtjen ajrore të kontinentit – nëse ajo do të testohej ndonjëherë.
Ndërsa posedojnë teknologji me cilësi të lartë, si raketa Patriotë, sisteme raketore SAMP/T dhe IRIS-T, disa ministri evropiane të Mbrojtjes pranojnë hapur se kanë mungesa të konsiderueshme në interceptorë.
Evropa do të përballej, gjithashtu, me vështirësi ndaj të ashtuquajturave sulme të “ngopjes”, të përdorura nga Rusia në Ukrainë, ku sistemet e mbrojtjes ajrore mbingarkohen nga një valë sulmesh që përfshijnë ndërhyrje elektronike, sulme kibernetike, dronë dhe lloje të ndryshme raketash.
Kontinenti mbetet ende shumë i varur nga Shtetet e Bashkuara për mbulim në distanca të gjata, dhe pikërisht këtu hyn në lojë kërcënimi potencial i Iranit ndaj Evropës.
Duke komentuar sulmet ndaj Diego Garcias, shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, theksoi se “këto raketa nuk janë të destinuara për të goditur Izraelin. Rrezja e tyre arrin në kryeqytetet evropiane; Berlini, Parisi dhe Roma janë të gjitha brenda rrezes së drejtpërdrejtë të kërcënimit”.
Eksperti i pavarur i mbrojtjes me bazë në Izrael, Michael Horowitz, tha për Radion Evropa e Lirë më 21 mars se “Irani nuk mund të shihet më si një kërcënim i kufizuar në Lindjen e Mesme. Ai po ndërton kapacitete që synojnë t’i rrisin kostot edhe për kundërshtarët më të largët”.
“Po të isha evropian, do të isha i shqetësuar”, tha ai.
Ministri britanik i kabinetit, Steve Reed, tha më 22 mars se një raketë e lëshuar drejt Diego Garcias “ra para destinacionit”, ndërsa një tjetër raketë “u interceptua”.
Ai, gjithashtu, i hodhi poshtë pretendimet izraelite se Evropa mund të ishte objektiv, duke shtuar se “nuk ka pasur ndonjë vlerësim që i mbështet pretendimet se Irani po planifikon të godasë qytetet evropiane me raketa balistike, ose ka kapacitetin për ta bërë këtë”.
Dronët iranianë, deri më tani, janë interceptuar mbi bazat ushtarake britanike në Qipro, ndërsa Turqia – anëtare e NATO-s – ka interceptuar tri raketa balistike në raste të ndryshme, në fillim të marsit.
NATO-ja nuk dha komente të reja për Radion Evropa e Lirë pas sulmeve ndaj Diego Garcias, por iu referua deklaratës së saj për rastet në të cilat Turqia i interceptoi me sukses sulmet.
“BMD-ja (Mbrojtja Kundër Raketave Balistike) e NATO-s ka qenë efektive ndaj raketave iraniane në Turqi – çfarë është pikërisht ajo për të cilën është dizajnuar”, tha për Radion Evropa e Lirë Oana Lungescu, ish-zëdhënëse e NATO-s, aktualisht bashkëpunëtore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara për Studime të Mbrojtjes dhe Sigurisë.
Një zyrtar i NATO-s, duke folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, gjithashtu vuri në dukje se BMD-ja e NATO-s është dizajnuar pikërisht për të përballuar raketat iraniane – jo domosdoshmërisht ato ruse – kur është ndërtuar në fillim të viteve 2000 dhe është bërë operacionale në vitin 2012.
Gjermania ka qendrën e komandës në bazën e saj ajrore Ramshtajn, ndërsa mbrojtja aktuale nga raketat është e vendosur në bazat polake dhe rumune.
Turqia ka një radar dhe Spanja ka katër anije të afta për BMD-në në bazën e saj detare, Rota.
Megjithatë, BMD-ja e NATO-s ka një gjurmë të konsiderueshme të SHBA-së që e bën Evropën të varur nga mbrojtja ushtarake amerikane.
Robert Pszczel – ish-zyrtar i NATO-s dhe ekspert aktual i sigurisë në Qendrën për Studime Lindore, organizatë me qendër në Varshavë – thotë për Radion Evropa e Lirë se “supozimi aktual është se sistemi është operativ dhe po bën pikërisht atë që duhet ta bëjë”.
“Sigurisht, është një sistem i veçantë me elemente të rëndësishme të siguruara nga SHBA-ja”, thotë Pszczel. /REL