Organizata Botërore Meteorologjike (WMO) ka konfirmuar se dekada e fundit ka qenë më e nxehta e regjistruar ndonjëherë.
Sipas kësaj agjencie të OKB-së, periudha 2015–2025 përbën 11 vitet më të nxehta që nga fillimi i matjeve klimatike. Viti 2025 renditet si i dyti ose i treti më i nxehtë në histori, transmeton albinfo.ch.
WMO paralajmëron se ka shumë pak arsye për optimizëm lidhur me gjendjen e klimës globale. Temperaturat janë në rritje, oqeanet po ngrohen, akulli dhe akullnajat po shkrihen, ndërsa përqendrimi i gazrave serrë në atmosferë vazhdon të rritet.
Zëvendësdrejtoresha e WMO-së, Ko Barrett, theksoi se këta tregues nuk po zhvillohen në një drejtim që jep shpresë, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, paralajmëroi se planeti po “shtyhet drejt kufijve të tij”.
Temperatura mesatare globale në vitin 2025 ishte rreth 1.43°C mbi nivelet para-industriale, ndërsa viti 2024 ishte edhe më i nxehtë, me rreth 1.55°C mbi këtë nivel.