Granit Xhaka është një nga lojtarët më të përfolur në Premierligën angleze.
Kjo pasi ai verën e kaluar u transferua në mënyrë befasuese te Sunderlandi nga Bayer Leverkuseni.
Xhaka gjithmonë ka lënë përshtypje të mira te tifozët e çdo klubi ku ka qenë pjesë, por jo vetëm. Shumë futbolldashës tjerë – nga klubet tjera – e kanë vlerësuar me të madhe lidershipin që ai e tregon, si brenda ashtu edhe jashtë fushës.
“E kam këtë lidership që nga koha kur isha 4-vjeçar”, ka thënë ai në një intervistë për “Stan Sport”.
“Qysh në moshën katër vjeçare, unë dhe vëllai im [Taulanti], që atë kohë ishte pesë vjeçar, detyroheshim të rrinim vetëm, për pothuajse 18 orë, sepse dy prindërit punon pa u ndalur. Punonin pa u ndalur, me punë shtesë që ne të kishim kushtet dhe që të arrijmë këtu ku jemi. Unë i kisha çelësat e shtëpisë në dorën time. Dhe që atëherë jam rritur me përgjegjësi”, ka shtuar ai.
“Nëna punonte nga ora 4 e mëngjesit deri në 3 të pasdites. Na bënte bukën gati më herët, hanim, dhe pastaj ajo shkonte prapë në punë. Njëjtë edhe babai im”, bëri me dije Xhaka.
📽Granit Xhaka speaks on his upbringing and growth. An Emotions stirring watch:
— AE (@ArtetaEra) March 20, 2026
‘'We never forget where we come from.’'
(@StanSportsFC)pic.twitter.com/AEoSJ7uPYh
Tani, Xhaka 33-vjeçar, është vetë prind.
Ai ka tri vajza. Dhe, në intervistë e bën një krahasim, i cili e përloti.
“Unë i kam vajzat e mia, kanë po të njëjtën moshë që kisha unë atëherë. Nuk mundem t’i shoh në këtë moshë, që të jenë vetëm për aq orë”, tha ai, derisa lotët e ‘tradhtuan’ dhe emocionet e kapluan.
“Asnjëherë nuk harrojmë nga kemi ardhur. Nëse beson në diçka dhe punon mjaftueshëm për ta bërë, atëherë do ta bësh”, mbyllet video e publikuar nga “Stan Sport” në rrjetet sociale./GazetaExpress/