Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e paralajmëroi homologen e tij britanike, Yvette Cooper, se leja e Mbretërisë së Bashkuar dhënë SHBA-së qw të përdorin bazat ushtarake britanike do të trajtohej si “pjesëmarrje në agresion”, ndërsa ai këmbënguli në të drejtën e vendit të tij për vetëmbrojtje.
“Këto veprime patjetër do të konsiderohen si pjesëmarrje në agresion dhe do të regjistrohen në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve. Në të njëjtën kohë, ne rezervojmë të drejtën tonë të natyrshme për të mbrojtur sovranitetin dhe pavarësinë e vendit”, tha Araghchi, sipas një deklarate të postuar në kanalin e tij zyrtar në Telegram, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Ministri i Jashtëm iranian tha se SHBA-të dhe Izraeli e filluan luftën ndërsa negociatat diplomatike ishin në zhvillim e sipër dhe dënoi përgjigjen “e njëanshme” nga Britania dhe vendet e tjera europiane ndaj asaj që ai e përshkroi si “agresion flagrant” në shkelje të ligjit ndërkombëtar.