Në Mirosalë të Ferizajt është inauguruar një qendër zhvillimore me bazë në komunitet për edukimin e hershëm, e dedikuar për fëmijët e moshës 3–5 vjeç.
Hapësira moderne u mundësua falë partneritetit mes Comodita Home dhe UNICEF. Qendra ofron ambient inovativ dhe materiale plotësisht të riciklueshme, duke krijuar kushte të përshtatshme për lojë dhe mësim. Përfaqësuesit theksuan rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e hershëm të fëmijëve dhe përfshirjen e tyre në komunitet.
Shefja e UNICEF Kosovo, Veronika Vashchenko, u shpreh se ky është bashkëpunimi i dytë me Devolli Corporation, me synimin për të zgjeruar qasjen në edukim të hershëm edhe në zonat rurale.
Nga Devolli Corporation, Adriatik Kelmendi theksoi se ky është vetëm fillimi i një iniciative më të gjerë, që pritet të shtrihet edhe në rajon, përfshirë Shqipërinë.
Ndërkohë, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, vlerësoi bashkëpunimin me partnerë të tillë si shumë të rëndësishëm për komunitetin. Qendra pritet të shërbejë si një hapësirë e gjallë për fëmijët, duke kontribuar në zhvillimin e tyre të hershëm dhe krijimin e një mjedisi të mbushur me buzëqeshje dhe mësim.



