Ministria e Diasporës ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e viktimave të aksidentit tragjik që ndodhi në Vjenë të Austrisë.
Sipas reagimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 14:15 në distriktin Alsergrund, ku gjatë punimeve në një kantier ndërtimi është shembur një pjesë e konstruksionit, duke lënë disa punëtorë të bllokuar nën rrënoja.
Autoritetet austriake kanë konfirmuar se në mesin e viktimave janë edhe tre shtetas me prejardhje nga Kosova: Pajtim Bajrami, Asllan Musliu dhe Istref Zekaj.
Ministria ka bërë të ditur se përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore po ofron mbështetjen e nevojshme për familjarët, si dhe po punon për lehtësimin e procedurave për kthimin e trupave të viktimave në Kosovë.
“Që nga marrja e informacionit, institucionet e Republikës së Kosovës, përmes kanaleve diplomatike dhe konsullore, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të lehtësuar procedurat përkatëse për kthimin e trupave të tyrë në Kosovë”.
Ajo ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, si dhe për të gjithë të prekurit nga kjo tragjedi.