Me vendim të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës është thjeshtuar procedura për marrjen e dokumenteve kosovare, njoftoi Shërbimi i Gjendjes Civile i Komunës së Graçanicës.
Siç thuhet, qytetarëve nga Kosova që posedojnë dokumente të lëshuara nga Serbia u mundësohet paraqitja e kërkesës për regjistrim, përkatësisht regjistrimin në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës, shkruan mediumi lokal serb, Radio Kontakt Plus.
Kjo mundësi u referohet të gjithë qytetarëve në territorin e Kosovës, të cilëve strukturat ilegale të Serbisë u kanë lëshuar dokumente në bazë të vendbanimit në Kosovë në periudhën nga 10 qershori 1999 deri më 15 mars 2026.
Qytetarët që i plotësojnë këto kushte mund të paraqesin kërkesa për transkriptim, përkatësisht regjistrim në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës, për të marrë dokumente – ekstrakte nga librat amë të lindjeve, martesave dhe vdekjeve, njoftoi Komuna e Graçanicës.
Afati për paraqitjen e kërkesave për regjistrim në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës është deri më 16 qershor 2026.