Rritja e çmimit të naftës dhe e shportës minimale sindikale po e rëndojnë çdo ditë jetesën e qytetarëve. Ndërkohë, qeveria ende nuk ka ndërmarrë masa konkrete për të harmonizuar këtë rritje, duke lënë familjet të përballen të vetme me krizën ekonomike. Kjo qasje natyrisht që kërkon seriozitet dhe përkushtim në të kundërtën bashkë me rritjen e çmimeve do të rritet edhe dëshpërimi dhe revolta e qytetarëve që kurrsesi nuk arrijnë t’ia dalin me shpenzimet krahas të hyrave që kanë ngec në vend, përcjell Express nga Zhurnal.
Çmimi i naftës drejt çmimit të arit, qeveria akoma pa masa konkrete –
Edhe pas rritjes së dytë të çmimeve të karburanteve, qeveria ende nuk ka masa konkrete për uljen e çmimeve. Nga ekzekutivi vjen i njëjti qëndrim si një ditë më parë: po monitorohet situata dhe po shqyrtohet ulja e TVSH-së nga 18% në 10%, por pa afat të qartë se kur do të ndodh kjo.
“Qeveria po monitoron në mënyrë aktive situatën me çmimet e karburanteve dhe në periudhën e ardhshme, ndër alternativat në shqyrtim është ulja e TVSH-së nga 18% në 10%, me qëllim mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve”, deklaruan nga Qeveria për Alsat.
Ndërkohë, çmimi i derivateve është rritur sërish, benzina shitet për 86.5, përkatësisht 88.5 denarë, ndërsa nafta për 92 denarë për litër. Opozita ka reaguar me kritika të ashpra, duke akuzuar qeverinë për mungesë vizioni dhe masa konkrete.
Pos naftës edhe shporta sindikale çdo muaj rritet derisa masat nuk shihen askund
Shporta sindikale minimale për muajin shkurt 2026 arriti në 67.382 denarë, ndërsa me qira për një banesë 60 m² shpenzimet shkojnë në 82.757 denarë. Krahasuar me janarin, kjo është një rritje prej 969 denarësh. Vetëm ushqimi kushton mbi 25.000 denarë, më shumë se një pagë minimale mujore, e cila sot është 24.600 denarë.
Kjo rritje e vazhdueshme e shpenzimeve bazë tregon se inflacioni po gërryen standardin e jetesës, ndërsa qeveria nuk ka prezantuar masa konkrete për ta zbutur barrën mbi qytetarët. Opozita propozon uljen e TVSH-së për karburantet dhe produktet ushqimore bazë, si dhe reduktimin e akcizës, por këto mbeten vetëm ide në letër ose kërkesa opozitare që po hasin në veshë të shurdhër tek pushteti.
Qeveria ende pa masa konkrete për uljen e çmimeve –
Në vend që të ndërhyjë me politika të qarta dhe afate të shpejta, qeveria vazhdon të përsërisë se “po monitoron situatën”. Por qytetarët nuk kanë luksin të presin, çdo ditë që kalon, çmimet rriten derisa shporta sindikale bëhet më e shtrenjtë dhe buxhetet familjare më të varfra.
Nëse nuk merren masa urgjente, rreziku është që rritja e çmimeve të kalojë mbi 10% në muajt e ardhshëm, duke e bërë krizën edhe më të rëndë. Qeveria duhet të zgjedhë të veprojë tani, ose të mbajë përgjegjësinë për një standard jetese që po bie me shpejtësi. Sepse, deri tani kundrejt rritjes së çmimeve qeveria ka nxjerrë Inspektoratin e Tregut në terren dhe për të vendos gjoba nëse ka rritje të paparalajmëruar. Si masë e prezantuar është edhe publikimi i çmimeve onlajn. Por, këto masa po rezultojnë pa efekt, pasi janë masa sipërfaqësore dhe jo të drejtpërdrejta që qytetarët mos ta ndjejnë rritjen e çmimeve.
tag_katrorimaqedoni_2