I akuzuari për Banjskën arsyetohet se uniformën e kishte dhuratë, për gjueti - Gazeta Express
string(75) "i-akuzuari-per-banjsken-arsyetohet-se-uniformen-e-kishte-dhurate-per-gjueti"

Lajme

Gazeta Express

18/03/2026 10:37

I akuzuari për Banjskën arsyetohet se uniformën e kishte dhuratë, për gjueti

Lajme

Gazeta Express

18/03/2026 10:37

Dushan Maksimoviq, një prej tre të akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023, është pyetur në seancë sot për një fotografi me uniforma.

Për këtë ai ka thënë se ajo është uniformë e gjuetisë.

“Këtë uniformë e kam marrë që ta shfrytëzoj për gjueti dhe nuk e kam ditur dhe nuk e kam pasur idenë çfarë fotografish do të përdorin në këtë procedurë”, ka thënë ai duke komentuar një fotografi që ka thënë se është e vitit 2022.

Maksimoviq ka thënë se është gjuetar aktiv.

“Po kjo është një nga kartelet e anëtarësisë dhe është nga viti 2022. Me gjueti kam nisur të merrem para kohës së koronavirusit”, ka shtuar ai.

Për fotografinë e shfaqur, Maksimoviq ka thënë se “ka dashur ta provonte uniformën, siç provohen të gjitha gjërat që i blejmë”.

“Fotografa është e datës 13 dhjetor 2022, kjo është 250 ditë para ngjarjes në Banjskë. Ajo uniformë nuk është as e ngjashme me ato të përdorura gjatë sulmit në Banjskë”, ka thënë ai. “E kam marrë dhuratë. Kam dashur ta blej, mirëpo shoku i cili merret me paintball i cili e ka pasur këtë uniformë nuk deshi të më marrë para dhe ma dhuroi”.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca e radhës ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq. Sot Maksimoviq do të japë fjalën mbrojtëse. Dy të tjerët ishin mbrojtur në heshtje në seancën e kaluar.

Krahas Toliqit, Spasojeviqit dhe Maksimoviqit, për sulmin terrorist në Banjskë akuzohen edhe 42 persona.

Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës më 11 shtator, gati një vit pas sulmit në Banjskë.

Në këtë fshat në veri të Kosovës, një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator, 2023, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement