Trajneri gjerman Hansi Flick do të nënshkruajë së shpejti një kontratë të re me Barcelonën.
Kontrata e tij aktuale është deri në verën e vitit 2027 dhe thuhet se është duke u hartuar një kontratë e re, e cila duhet të zgjatet për një vit tjetër.
Ndërsa ende pritet konfirmimi zyrtar, Flick bëri një deklaratë që e habiti publikun.
“Nuk mendoj se është koha e duhur për të folur për këtë. Kemi një ndeshje të rëndësishme”, tha 61-vjeçari përpara ndeshjes së dytë të 1/8 së finales së Ligës së Kampionëve kundër Newcastle, duke shtuar:
“Më pëlqen të punoj këtu. Kemi shumë kohë dhe nuk po mendoj të shkoj diku tjetër. Jam këtu dhe do të jetë klubi im i fundit, puna ime e fundit. Jam shumë i lumtur për këtë.”
Flick mori drejtimin e Barcelonës në verën e vitit 2024 dhe e udhëhoqi klubin drejt një dopiete spanjolle në sezonin e tij të parë. Barca është gjithashtu në krye të tabelës së La Liga këtë sezon, katër pikë përpara Realit.